
Firma e djeshme me Elvin Beqirin e ka bërë edhe më shumë entuziast drejtorin sportiv të Vllaznisë Armir Grima. Ai është shumë i kënaqur që ka arritur ta bindë këtë lojtar për t’u riveshur kuqeblu. Ia njeh mirë vlerat sepse ka luajtur me të për disa sezone me rradhë dhe për këtë arsye, dje është shfaqur i lumtur. E ka thënë këtë gjë edhe në prezantimin e lojtarit para gazetarëve kur është shprehur: “Besoj që të prezantosh Beqirin është kënaqësi për cilindo që do të ishte në vendin tim. Vlerat e tij si futbollist janë të afirmuara në futbollin shqiptar. Është kënaqësi për ne që kjo marrëveshje u mbyll me sukses dhe dita ditës, ekipi po merr një fytyrë tjetër për të treguar edhe një herë që ne po punojmë për të bërë një ekip pretendent. Besoj që Beqiri do të jetë një ndër pikat kryesore të ekipit dhe nuk na mbetet gjë tjetër që t’i urojmë suksese në këtë sezon të ri”. Numri i blerjeve zyrtare tashmë ka shkuar në katër me ish-mbrojtësin e kombëtares. Brenda pak ditësh ky numër do shkojë në pesë sepse pavarësisht se ende nuk është hedhur firma, është arritur marrëveshja me Dragoin, mesfushorin rumun që sezonin e kaluar luajti me Kastriotin. Arritjen e kësaj marrëveshje e ka konfirmuar dje edhe drejtori Grima kur ka thënë: “Me Dragoin ka një marrëveshje. Por gjithçka do të jetë në kohën e duhur për të bërë finalizimin. Mendoj që jemi në rrugën e duhur dhe duhet të presim edhe pak ditë”. Gjysma e blerjeve tashmë janë realizuar. Gjysma tjetër pritet të vijë në vazhdim. Ajo tashmë është pjesa më e rëndësishme. Natyrisht që vëmendja është përqendruar tek lojtarët e sulmit. Se kush do jenë dy futbollistët që vijnë, kjo mbetet për t’u parë. Drejtori sportiv Armir Grima shprehet: “Jo çdo gjë mund të lakohet me çdo kusht në media. Mendoj se diçka duhet t’i takojë dhe Vllaznisë. Jam i bindur që në ditët në vazhdim mund të bëjmë dhe goditjet e duhura sidomos në repartin e sulmit. Jemi në bisedime me disa futbollistë dhe dëshira është të bëjmë më të mirën”. Përpjekjet po bëhen. E rëndësishme është që drejtuesit e klubit, përfshi këtu edhe presidentin, janë të angazhuar maksimalisht për të bërë më të mirën gjatë kësaj periudhe. Këtë e ka thënë edhe Grima teksa në fund është shprehur: “Duhet të kemi diçka parasysh. E rëndësishme është që po punohet me lojtarë që të jenë të një niveli të mirë dhe me vlera. Gjithçka është falë presidentit të klubit, që nën kujdesin e tij po pretendon që Vllaznia të bëjë një ekip model. Me ekipi model nuk kuptoj vetëm fjalën si futbollist por edhe si njerëz. Gjë që po e plotësojmë dita- ditës. Përsa i përket përgjigjeve që ne presim mund të them se po punohet për të bërë gjithmonë më të mirën”. Në këtë mënyrë tashmë shumë gjëra janë të qarta. Do punohet me shumë kujdes për të realizuar edhe dy- tre futbollistë cilësorë në repartin ofensiv dhe atëherë po, mund të thuhet se Vllaznia është e kompletuar me lojtarët e duhur për të qenë një skuadër pretendente për fitimin e trofeve.
Gjergj KOLA