Ivan Deliç është sjellë prej tij tek Vllaznia në merkaton e verës. Ai e ka ndjekur këtë lojtar përmes videove, I ka besuar portierit Vujadinoviç dhe miqve të tjerë që ia kishin sugjeruar dhe e ka veshur kuqeblu. Drejtori sportiv Armir Grima edhe kur lojtari kishte shfaqur ende probleme me formën e tij, kishte besuar tek ai. Pas golit të shënuar në Ballsh, edhe ai ndjehet më I çliruar. “Basti”, ndonëse nuk I pëlqen ta konsiderojë të tillë, me këtë lojtar është fituar tashmë. “Njeriu I fortë” I merkatos kuqeblu flet edhe për fitoren në Ballsh dhe ecurinë e skuadrës. Ai ka shprehur besimin se skuadra do vijë duke u përmirësuar edhe më shumë megjithatë nuk flet ende për pretendime të mëdha. Ja intervista e plotë dhënë dje për gazetën “Shkodra Sport”:
-Grima, një fitore që erdhi në momentin e duhur, ajo në Ballsh apo jo?
-Mendoj se erdhi taman në momentin e duhur. Skuadra nuk po kalonte një gjendje të mirë, më tepër psikologjike sidomos pas barazimit të fundit me Apoloninë dhe për rrjedhojë fitorja në Ballsh besoj se më shumë sesa për pikët ka shërbyer për rritjen e anës psikologjike të futbollistëve.
-Duket se vendimi I klubit për të mos I gjobitur futbollistët pas barazimit me Apoloninë e dha efektin e duhur positiv tek skuadra. Keni edhe ju të njëjtin mendim?
-Sigurisht që të njëjtin mendim kam edhe unë madje kam qenë ndër njerëzit që kam dhënë këtë mendim sepse sipas logjikës time, nëse do t’I ndëshkonim edhe nga ana financiare futbollistët, gjendja e tyre jo vetëm që nuk do përmirësohej por do rëndohej edhe më tepër. Thjesht, në analizën që zhvillova me ta, I dhashë të kuptojnë se detyra e tyre ishte të luanin futboll ashtu siç duhet për të justifikuar veshjen e fanellës së Vllaznisë por edhe vlerat e tyre personale për të cilat I kishim marrë.
-Përveç fitores ndaj Bylisit, jeni I kënaqur edhe me lojën e zhvilluar nga ekipi?
-Them që kemi bërë një ndeshje të mirë. E kemi kontrolluar atë vazhdimisht dhe duhet të kishim shënuar që në pjesën e parë. Bylisi gjatë 90 minutave vetëm një herë ka gjuajtur në portën tonë dhe ai moment u zgjidh në mënyrë të përkryer nga portieri Vujadinoviç. Ndoshta kemi luajtur më mirë se në ndeshjet që kemi zhvilluar edhe në Shkodër. Sigurisht që ka ende për të bërë megjithatë skuadra po vjen në progres dhe kjo është shumë e rëndësishme.
-Në Ballsh fatin e ndeshjes e ka vendosur malazezi Deliç, lojtari që e keni sjellë ju tek Vllaznia. Mund të quhet ky një bast I fituar I Grimës?
-S’mund ta quaj një bast I fituar sepse Deliç aty ka qenë dhe nuk doli tani në skenë. Unë personalisht por edhe trajneri, kemi besuar gjithmonë tek vlerat e këtij lojtari. Thjesht ishte çështje kohe shfaqja e tij si protagonist, për më tepër bërja e gjërave të tillë prej tij edhe në ndeshje pasi në stërvitje është I përkryer.
-Por në ndeshjet e para në të vërtetë, nuk ka qenë në nivelin e pritshëm…
-Kjo është mëse e vërtetë. Ne e denim që kishte kaluar disa probleme sezonin e kaluar dhe prandaj I duhej pak kohë sa të kapte formën e duhur dhe të përshtatej me skuadrën. Megjithatë ju garantoj se ka ende për të dhënë sepse është një futbollist me karakteristika shumë të mira dhe jo më kot ne kemi besuar tek ky futbollist.
-Ka shënuar Deliç por mungojnë sërish golat e sulmuesve. Ju shqetëson ky fakt?
-Patjetër që na shqetëson sepse jo gjithmonë duhet të presim që fatin e ndeshjes të na I zgjidhin mbrojtësit apo mesfushorët. Duhet që edhe sulmuesit ta justifikojnë qënien e tyre tek Vllaznia dhe në veçanti, presim shumë nga Hysa. Rexha në njëfarë mase është edhe I justifikuar nga disa probleme që ka patur megjithëse është munduar të japë gjithnjë maksimumin por Hysa duhet të jetë më aktiv. Ai duhet ta kuptojë se ne I kemi sytë tek ai dhe  shumë shpejt duhet të na bindë edhe njëherë për aftësitë që ka.
-Java e pestë duket se ka qenë me fat për Vllazninë e cila gjendet vetëm tre pikë larg kreut. Kur do ngjitet sërish ajo në renditje?
-Kemi qenë vërtetë me fat sepse kemi fituar në transfertë ndërkohë që ekipet e tjera janë ndalur. Tre pikë nuk janë shumë por edhe nuk janë pak sepse në rradhë të parë duhet të tregojmë stabilitet në lojërat tona. Nëse e kemi këtë stabilitet dhe rezultatet positive, do të shohim përpara por nuk duhet të ngutemi.
-Në fundjavë sfida e ardhshme me Laçin.  Vend për nënvleftësim ndaj këtij kundërshtari?
-Aspak. Vllaznia nuk e ka luksin të nënvlerësojë asnjë kundërshtar, aq më tepër Laçin që ka treguar vlera të mira gjithë këto sezonet e fundit. Vllaznia në ndeshjet që ka luajtur në Shkodër këtë kampionat nuk ka qenë ajo e duhura dhe prandaj duhet të tregohemi shumë të matur që të mos gabojmë edhe ndaj laçianëve por të kërkojmë një tjetër fitore.
Gjergj KOLA