Përpjekjet e Vllaznisë për të ndërtuar një skuadër pretendente për sezonin e ardhshëm vazhdojnë. Përveç përpjekjeve për të gjetur trajnerin, drejtuesit e klubit janë duke punuar edhe në drejtime të tjera. Kështu, drejtori sportiv Armir Grima merret vesh se dy ditët e fundit ka qenë në Slloveni. Arsyeja e kësaj vizite blic në këtë vend, duket se ka qenë kontakti me drejtuesit e një klubi të këtij vendi për të krijuar një marëveshje bashkëpunimi në të ardhmen. Nuk bëhet I ditur emri I klubit por të paktën nga sa thuhet, ideja ka qenë për shkëmbim përvoje mes dy klubeve por edhe të lojtarëve. Grima ka qenë I shoqëruar në këtë udhëtim të tij edhe nga trajneri I kombëtares së minifutbollit të Shqipërisë Alban Hasani. Ata janë nisur nga Shkodra mesditën e së premtes dhe duhet të jenë kthyer mbrëmë vonë e në këtë mënyrë duhet pritur ndoshta dita e sotme për të mësuar diçka në lidhje me këtë vizitë të tij në Slloveni. Drejtori Grima nuk ka qenë I pranishëm këto dy ditë në Shkodër dhe kjo ndoshta është arsyeja kryesore pse zgjidhja e çështjes së trajnerit është shtyrë për ndonjë ditë më shumë. Fillimisht vetë ai, pat deklaruar se deri në fund të kësaj jave, do të zgjidhej trajneri I ri. Dhe në fakt në këtë mesele, duket se ai është ngarkuar nga ana e kryebashkiakut Lorenc Luka për t’u marrë me këtë çështje. Por tashmë kjo shkëputje dyditore, ka nxjerrë në skenë vonesën e cila ndoshta do të kompesohet në dy ditët e para të javës që vjen. Duke iu rikthyer udhëtimit të tij drejt Sllovenisë, ende nuk është e qartë se për çfarë është biseduar në këtë  takim që ai mund të ketë qenë në lidhje me shkëmbimet e përvojës tek Akademitë apo dhe me lojtarë të tjerë. Në këtë mënyrë, gjërat duket se në kampin shkodran po lëvizin për mirë. Pa udhëtimit para 4 ditësh drejt Malit të Zi për të ndjekur finalen e kupës së këtij vendi dhe për të vëzhguar ndonjë futbollist atje. Tashmë është rradha e Sllovenisë dhe në ditët në vazhdim mund të ketë të tjera lëvizje. Vllaznia është një klub me marëdhënie të mira me shumë klube të tjera të Rajonit dhe bashkëpunimet nuk kanë munguar. Kohë më parë, u patën luajtur miqësore edhe me ekipet e Akademisë së Mogrenit në Budva dhe në të ardhmen mund të ketë edhe me ekipet e para. Në këtë fushë, shkodranët shquhen por veçse duhen bërë gjërat më ndryshe me skuadrën e parë. Ajo sidomos në sezonin e fundit ka shfaqur shumë probleme dhe prandaj drejtuesit e klubit po tentojnë t’I bëjnë gjërat shumë më ndryshe për sezonin e ri. Po punohet me shumë përkushtim në këtë drejtim megjithatë ende nuk ka asnjë lëvizje. Çështja e trajnerit është ajo që duhet të marrë zgjidhje e para. Drejtori sportiv Grima me shumë siguri të hënën ose të martën do të mbledhë Këshilin e trajnerëve për të shqyrtuar përfundimisht kandidaturat dhe për t’I vënë gishtin atij më të mirët. Rrethi duket se është ngushtuar shumë megjithatë përveç punës së trajnerit, drejtuesit e klubit shkodran kanë ndër mend të hyjnë seriozisht edhe në merkato sepse duhen disa blerje cilësore për të ndërtuar një skuadër të mirë për sezonin e ri. Se ku do gjenden ato, kjo mbetet për t’u parë. Në Slloveni, Mal të Zi, Shqipëri apo gjetkë, e rëndësishme është të gjenden lojtarët e duhur.
Gjergj KOLA