Lajmi i dalë sot në lidhje me kërkesën zyrtare të Safet Gjicit për të marrë Vllazninë natyrisht që është pritur mirë në opinionin sportiv shkodran. Mbi të gjitha sepse tashmë ka një kërkesë zyrtare dhe ajo çka është e rëndësishmja nga një biznesmen që ka treguar se mund të investojë fuqishëm në futboll. Kuptohet që ka edhe nga ata që i shohin me skepticizëm kërkesat e presidentit aktual të Kukësit megjithatë kjo nuk është shumë e rëndësishme për momentin. Tek tifozë të ndryshëm ndoshta ekziston ideja se Vllaznia mbahet peng i drejtuesve aktualë të saj ngaqë duan të ruajnë vendin e punës por në fakt nuk është kështu. I pari, që vazhdon të deklarojë se Vllaznia duhet të kalojë sa më parë në duart e privatit është drejtori sportiv Armir Grima.
Duke folur për gazeten, ai ka deklaruar: “Jam njohur përmes mediave për kërkesën zyrtare të z. Gjici për të marrë Vllazninë. Unë nuk dua të ndalem në emra të përveçëm. E rëndësishme është që ka interes për të marrë Vllazninë. Mund të ketë edhe kërkesa të tjera për ta marrë atë përveç tij. Kam qenë dhe jam sërish i mendimit që klubi duhet të kalojë sa më shpejt në duart e privatit. Kuptohet që dëshira e parë do ishte që presidenti i ardhshëm të ishte shkodran por ky nuk është kështu. Ajo që ka rëndësi është të gjendet njeriu i duhur për të financuar këtë klub sepse në këto katër sezonet e fundit kemi konstatuar vështirësi të jashtëzakonshme në menaxhimin e klubit. Bashkia ka bërë maksimumin e mundshëm për të financuar ekipin por duhet medoemos privati. Edhe ne si drejtues jemi munduar të bëjmë më të mirën megjithatë realiteti është i tillë se pa ndërhyrë privati nuk mund të shkohet përpara. Po e shohim edhe në muajt e fundit në vështirësitë që po hasim për ndërtimin e skuadrës ndonëse nuk mungon preokupimi i të gjithë neve. E përsëris që Vllaznia duhet të kalojë në dorën e privatit sa më parë. Bashkia duhet të mos nxitohet, t’i studiojë mirë të gjitha ofertat dhe të vendosë për më të mirën. Kam dëgjuar shpesh se thuhet që Vllaznia ka mbetur “peng” i drejtuesve aktualë ngaqë duan të ruajnë vendin e punës. Kjo nuk është aspak e vërtetë. Nuk ka rëndësi nëse largohem unë i pari, e rëndësishme është që të bëhet puna ashtu si duhet. Presidenti i ri që vjen kuptohet që do njerëzit e vet përkrah dhe kjo është logjike por kuptohet që ai nuk mund të ndërhyrjë shumë tek Akademia sepse aty punojnë trajnerë shumë të përkushtuar dhe që kanë patur sukses në punën e tyre. Megjithatë, çdo gjë shkon në vendin e vet nëse vjen privati dhe unë jam pro kësaj lëvizje. Duhet Bashkia tani të studiojë mirë të gjitha ofertat që ka dhe të vendosë sa më shpejt për kalimin e klubit në duart e biznesmenëve”. Pengesë drejtuesish nuk ka e në rrethana të tilla tashmë topi është në fushën e Bashkisë, institucion ky që duhet t’i kthejë përgjigje, pikësëpari Safet Gjicit për kërkesën e bërë.
www.shkodrasport.com