Barcelona pret që klubet nga Evropa dhe Arabia Saudite të lëvizin për Frenkie de Jong këtë verë, sipas SPORT. Sipas mediumit, katalanasit do të shtyjnë për një largim të lojtarit shkaku i pagës së tij të lartë.

De Jong është kthyer në një enigmë për gjigantët e La Ligës së fundmi. Dikur konsideruar si një figurë kyçe në mes të fushës për Barcelonën, lojtari holandez ka rënë ndjeshëm kohët e fundit.

27-vjeçari e nisi sezonin jashtë fushës për shkak të një lëndimi dhe që atëherë ka humbur vendin e tij në formacionin fillestar ndaj Marc Casado. Ai ka dy gola dhe një asistim nga 21 ndeshje këtë sezon, vetëm gjashtë prej të cilave kanë qenë startues.

Kontrata e lojtarit skadon në vitin 2026 dhe katalanasit i kishin ofruar atij një marrëveshje të re vitin e kaluar. Megjithatë, De Jong nuk u përgjigj, duke e detyruar klubin të tërhiqte propozimin e tyre, ndërsa në garë është futur Liverpooli, raporton Mail Sport.

Gjigantët e La Ligës janë të gatshëm ta shesin lojtarin, ndërsa Liverpooli shpreson ta mbyllë këtë marrëveshje me 40 milionë euro. Megjithatë, ata janë gjithashtu të vetëdijshëm për rritjen e interesimit për shërbimet e lojtarit nga Lindja e Mesme.

Barcelona tani është duke pritur që klubet saudite të lëvizin për të në fund të këtij sezoni, duke shpresuar që të marrën një shumë më të lartë se sa ofrojnë The Reds.

Megjithatë, mediumi shton se De Jong nuk është shumë i prirur të transferohet në Lindjen e Mesme dhe dëshiron të qëndrojë në Evropë.Andaj, Liverpooli është në pozicion ideal që të transferojë holandezin, me këtë të fundit që do të bëjë presion te Blaugranasit. /Telegrafi/