“Shkodra Open Taekwondo” ishte turneu ndërkombëtar, i organizuar ditën e djeshme në pallatin e sportit “Qazim Dervishi”. Një turne ndërkombëtar i këtyre përmasave, vjen për herë të parë në qytetin e Shkodrës me nismën e ekipit të Vllaznisë, që ishte organizatori kryesor, duke pasur edhe mbështetjen e Bashkisë Shkodër.

Mbi 270 sportistë, përfaqësues të 24 ekipeve nga katër shtete, Shqipëri, Kosovë, Mali i Zi dhe Itali, konkurruan në kategoritë e peshave të ndryshme, për të fituar trofetë përkatës. Si zakonisht, Vllaznia e Shkodrës e drejtuar nga trajneri Elion Puka ishte figura kryesore e aktivitetit.

E përfaqësuar me 60-sportistë, një pjesë e mirë debutues për herë të parë në një aktivitet të tillë madhor ndërkombëtar, ekipi kuqeblu ishte pretendent kryesor për fitimin e trofeut ekipor, por në rivalitet të fortë me Tiranën, ishte skuadra kryeqytetase, që meritoi vendin e parë, duke lënë në vend të dytë Vllazninë dhe në të tretin, atë të Ulqinit nga Mali i Zi.

Ndërkohë, në aspektin individual, nga ekipi i Vllaznisë do të dilte sportisti më i mirë i të gjithë aktivitetit. Kështu, bëhet fjalë për sportistin Aron Duka, i cili krahas titullit kampion të fituar në peshën e tij konkuruese, është shpallur sportisti më i mirë i aktivitetit, për kategorinë e paratërinjve.
Maringlen ZHIVANI