Nga Maringlen ZHIVANI
Vllaznia do të ketë mungesën e dy portierëve të parë, Kristi Qarri dhe Jurgen Mehidri në ndeshjen e së hënës ndaj Skënderbeut. Kështu, si rrjedhojë e dëmtimit të Qarrit dhe Mehidrit, gjasat janë që në portë të jetë 18-vjeçari Aron Jukaj.
Shumëkush mund ta shikojë me skepticizëm faktin se porta në një ndeshje të rëndësishme si ajo ndaj Skënderbeut, do t’i besohet një të riu 18-vjeçar, por me sa është parë deri më tani në paraqitjet që Jukaj ka bërë me ekipet e moshave, nuk përbën asnjë problem.
Kjo sepse Jukaj i ka treguar herë pas here aftësitë e tij që ka, por edhe qetësinë dhe pjekurinë që e karakterizon që në këtë moshë. Në fakt, 18-vjeçari shihet prej kohësh si një portier i së ardhmes, pasi Jukaj ka mbrojtur portën e ekipeve të moshave të Vllaznisë, ndërsa në fazën përgatitore të këtij fillim-sezoni mori minuta në miqësoret që ekipi shkodran zhvilloi.
Gjithashtu, Jukaj numëron paraqitje edhe me Kombëtaren U-19, teksa ka qenë rregullisht pjesë edhe e ekipeve të tjera Kombëtare të moshave. Të dhënat e tij vit pas viti kanë qenë shumë të mira dhe Aron Jukaj, vazhdimisht ka marrë vlerësimet e specialistëve të ndryshëm. Kjo falë paraqitjeve të mira që ka zhvilluar, por edhe si fryt i punës së madhe që ai bën çdo ditë.
Stërvitja që Jukaj ka bërë gjatë gjithë kësaj kohe me ekipin e parë, padyshim që e ka ndihmuar atë të rritet edhe më shumë nga ana profesionale, pasi ai është një nga elementët më të spikatur të Akademisë Vllaznia vitet e fundit dhe konsiderohet një vlerë e saj. Prandaj, edhe drejtuesit me në krye trajnerin Qatip Osmani, do t’ia japin mundësinë për të bërë një paraqitje sa më të mirë në këtë provë të parë për të, që mund t’i hapë rrugën pastaj për aktivizime të tjera të suksesshme./www.shkodrasport.com/