Prej disa javësh po luan si titullar me ekipin e parë të Vllaznisë dhe paraqitjet e tij kanë qenë ndoshta më të larta se pritshmëritë. Ndonëse pa eksperiencën e duhur në elitën e futbollit shqiptar, ndonëse duke luajtur në një pozicion delikat si ai i portierit, Aron Jukaj gjithsesi jo vetëm që nuk ka zhgënjyer, por i ka bindur të gjithë për aftësitë dhe talentin e tij.
Paraqitjet e tij ndoshta kanë kaluar në heshtje dhe e gjithë vëmendja është spostuar tek një tjetër futbollist i ri si Kevin Dodaj, ndoshta ngaqë ky i fundit ka rënë më shumë në sy për lojën, golat, asistet dhe rastet e krijuara.
Por të mos harrojmë se Jukaj i meriton disa lëvdata. Aq sa për të mos e kaluar në vetëkënaqësi, por gjithsesi meriton t’i japim atë se çfarë i takon. Mjafton të përmendim atë grushtim spektakolar në fundin e pjesës së parë të ndeshjes me Teutën dhe reflekset e jashtëzakonshme që tregoi, për të kuptuar se kemi të bëjmë me një portier me shumë të ardhme.
Të mos harrojmë se ashtu si dhe Dodaj, edhe Jukaj deri para pak muajsh kanë luajtur me Vllaznia U19, ndërsa tani e shohin veten titullarë me një nga ekipet më me emër të futbollit shqiptar si Vllaznia. 19 vjeçari i portës ka bërë “të harrohet” portieri i parë Kristi Qarri që vazhdon të jetë jashtë fushës së blertë për arsye dëmtimi dhe kjo është diçka shumë e rëndësishme.
Stafi teknik dhe drejtuesit e klubit kanë shumë besim tek ai dhe kjo u jep të drejtë edhe për zgjedhjet e bëra duke i besuar portierëve “bio” në mënyrë që të mos “importojnë” më portierë nga jashtë vendit. Dhe Aron Jukaj është shembulli më i mirë për këtë gjë…(www.shkodrasport.com)