Aron Ramsei pritet që së shpejti të veshë fanellën bardhezi të Juventusit. Mediat italiane kanë raportuar se për futbollistin uellsian ka një akord parimor mes palëve për kontratën që ai do të nënshkruajë pasi të largohet nga Arsenali për t’iu bashkuar Kristiano Ronaldos për të kthyer bardhezinjtë në një superfuqi në Europë.

Ramsei pritet të përfitojë 10 milionë euro në sezon te Juventusi, një rrogë shumë e lartë që kalon edhe atë të Dibala, por italianët janë të ndërgjegjshëm që cilësia e tij është e padiskutueshme ndaj duhet bërë maksimumi për të siguruar një lojtar të këtij kalibri. Prova e aftësive të tij erdhi edhe sot, kur ai shënoi një nga golat e fitores së Arsenalit, duke marrë duartrokitjet e publikut të “topçinjve”.

I pyetur rreth mesfushorit uellsian, trajneri Unai Emeri ka pranuar se lojtari është drejt largimit dhe mbetet për t’u diskutuar thjesht kur, që në janar, apo në verë kur të jetë një futbollist i lirë.

“Sot ai ka luajtur 15 minuta dhe arriti të shënonte. Sot ka fituar besim nga goli dhe nga rezultati. Për momentin, Ramsei po punon me ne. Unë mendoj se do të qëndrojë deri në fund të sezonit”, tha tekniku i Arsenalit rreth situatës së mesfushorit. /vipsport/