Ish-portieri i Gjermanisë, Jens Lehmann, i cili gjatë karrierës se tij ka luajtur për klubet e Milanit dhe të Arsenalit, u arrestua nga policia gjermane në Mynih, për shkak se dyshohet se ka drejtuar mjetin në gjendje të dehur.
Ish-lojtari kishte marrë pjesë në festivalin e birrës, Oktoberfest. Sipas raportimeve të mediave gjermane, 54-vjeçari u fotografua duke shijuar festën, duke pirë disa gota birrë, i veshur me kostumin tradicional bavareze dhe i shoqëruar nga disa vajza.
Madje disa dëshmitarë e panë atë duke kërcyer mbi karrige. Por festa u kthye në telash, kur ai edhe pse kishte konsumuar shumë alkool u largua nga festivali i birrës me makinë. Policia i vuri prangat ndërsa mbante veshur, kostumin tradicional bavarez.
Agjentët vunë re një “sjellje të pazakontë” në timon dhe, sipas raportit, ish-portieri mbante një erë shumë të fortë alkooli dhe madje shfaqi vështirësi në ruajtjen e ekuilibrit sapo doli nga makina.
Ai gjithashtu nuk ishte në gjendje t’i frynte aparatin për të matur sasinë e alkoolit ën gjak. Lehman u dërgua më pas në stacionin më të afërt policor.
Autoritetet gjermane i kanë konfiskuar edhe lejen e drejtimit në pritje të rezultateve të analizave të gjakut të kryera pas mbërritjes së tij në stacion. Ish-portieri nuk preferoi që të komentonte në lidhje me ngjarjen.