Klubi i Augsburgut në Gjermani, ka konfirmuar përmes një deklarate zyrtare se Prokuroria e Augsburgut po kryen një hetim ndaj një prej lojtarëve të tij.

Sipas raportimeve të gazetës ‘Augsburger Allgemeine’, javën e kaluar është lëshuar një urdhër arresti ndaj lojtarit në fjalë për një “sjellje të papërshtatshme seksuale”, për të cilën ai ka kaluar dy net në burg, nga e mërkura deri të premten.

Deri më tani, identiteti i lojtarit mbetet i panjohur. Klubi gjerman ka deklaruar:

“Duke qenë se bëhet fjalë për një procedurë në vazhdim dhe që lidhet me jetën private të lojtarit, ju kërkojmë mirëkuptim që FCA nuk mund dhe nuk ka autorizimin për të dhënë komente të mëtejshme. Për arsye ligjore, FCA nuk mund të zbulojë as emrin e lojtarit.”

FC Augsburg gjithashtu ka njoftuar se lojtari aktualisht nuk po merr pjesë në stërvitjet e ekipit dhe ka kërkuar që të respektohet parimi i pafajësisë deri në përfundimin e hetimeve.