Presindeti i Korabit, Fehmi Mëziu është arrestuar mëngjesin e ditës së sotme në Dibër. Kreu i skuadrës së Korabit ishte në kërkim ndërkombëtar nga Interpol, edhe pse gjatë gjithë kësaj periudhe ka qenë në publik dhe media, duke mos u fshehur në asnjë moment.
I dënuar me 13 vjet burgim nga Gjykata e Apelit në Napoli, Itali, për organizatë kriminale dhe shfrytëzim prostitucioni, Fast Albania dhe DVP Dibër kanë finalizuar operacionin në kapjen e 51-vjeçarit.
“Si rezultat i bashkëpunimit dhe shkëmbimit të informacioneve në kohë reale, të mbështetura dhe nga inteligjenca policore, për lokalizimin, kapjen dhe arrestimin me qëllim ekstradimin, të një shtetasi të kërkuar ndërkombëtarisht, FAST Albania, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Dibër, ka organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Rezultati”, i zhvilluar në qytetin e Peshkopisë, në kuadër të të cilit, u lokalizua, u kap dhe u arrestua me qëllim ekstradimin drejt Italisë, shtetasi i shpallur në kërkim ndërkombëtar Fehmi Meziu (Mëziu), 51 vjeç, banues në Dibër.
Gjykata e Apelit në Napoli, Itali, e ka dënuar këtë shtetas, me 13 vjet burgim, për veprat penale “Shfrytëzim prostitucioni” dhe “Organizatë kriminale’’, të parashikuara nga Kodi Penal i Italisë. Interpol Tirana vijon bashkëpunimin me Interpol Romën, për ekstradimin e këtij shtetasi drejt Italisë”, thuhet në njoftimin e Policisë.