Talentet e Vllaznisë i duan të gjithë. Rubin Hebaj kaloi para pak javësh në Slloveni, te Domzhale, kurse disa të tjerë kërkohen në Koraci apo dhe në Itali. Një ofertë italiane ka pasur më parë edhe mesfushori i talentuar, Arlind Kalaja, por të paktën edhe një sezon ai do të jetë lojtar i Vllaznisë.

Klubi shkodran dhe Kalaja kanë arritur akordin për kontratën e re, që në fakt nuk është firmosur ende zyrtarisht, por mesfushori mund të konsiderohet pa frikë pjesë e skuadrës kuqeblu edhe për sezonin e ri. Trajneri Armando Cungu mund të qëndrojë i qetë të paktën për këtë titullar, sepse ai nuk do ta braktisë Vllazninë, siç bëri së fundit kapiteni Ndriçim Shtubina. Siç raporton “VIP sport” shumë pranë akordit është edhe mesfushori tjetër, Alsid Tafili. Në fillim të gushtit pritet që Vllaznia të bëjë prezantimin e lojtarëve, të cilët do të rinovojnë.
© shkodrasport.com