Më në fund është arritur marrëveshja dhe Armando Vajushi nesër do të firmosë me skuadrën e Serisë A në Itali- Chievon. Kishte ditë që flitej por vetëm sot gjithçka është konkretizuar dhe palët tashmë kanë rënë dakord për firmosjen e një kontrate të re. Lajmi fillimisht ka dalë në mediat italiane ndërkohë që është konfirmuar në një prononcim për gazetën SHKODRA SPORT edhe nga vetë lojtari mbrëmjen e sotme.
Ai ndodhet ende në Shkodër dhe paraditen e nesërme do të niset drejt Italisë ku e pret menaxheri i tij dhe më pas do t’i drejtohen zyrave të klubit për të firmosur kontratën. Ende nuk janë bërë publike detajet e arritjes së kësaj marrëveshje se sa vjeçare do jetë dhe sa do të përfitojë 23 vjeçari shkodran, megjithatë e rëndësishme është që Armando Vajushi është një tjetër emër që i shtohet futbollistëve shqiptarë që po aktivizohen në futbollin italian. Kjo është një arritje e madhe për këtë futbollist që pasi shkëlqeu me Vllazninë, në tre sezonet e fundit ka luajtur me Liteksin në Bullgari ku ka spikatur dhe jo më kot, drejtuesit e Chievos vendosën ta bëjnë të tyrin tashmë.
© shkodrasport.com