
Sulmuesi kosovar Kastriot Rexha është blerja më e fundit e Vllaznisë. Ai është ulur dje në tavolinën e bisedimeve me drejtorin sportiv të klubit shkodran Armir Grima dhe ka arritur akordin e më pas ka nxituar për të dalë në stërvitje me ekipin. 24 vjeçari nga Prishtina kishte mbërritur në Shkodër mesditën e së hënës por pasdite nuk ka pranuar të dalë në stërvitje ngaqë sipas tij më parë duhej të mbyllte bisedime me drejtuesit e klubit nëse do firmoste apo jo. Provën e parë ai e kishte kaluar me sukses dhe në kushte të tilla pritej vetëm marrëveshja. Bisedimet u lanë të bëheshin mbrëmjen e së hënës por në fakt janë realizuar vetëm mesditën e djeshme. Nuk ka qenë e vështirë arritja e marrëveshjes financiare teksa palët duket se kanë rënë dakord për të firmosur një kontratë njëvjeçare me të drejtë rinovimi edhe për një sezon tjetër. Megjithatë firma mendohet të hidhet sot për t’u prezantuar më pas edhe zyrtarisht si blerja më e re e Vllaznisë. Njëkohësisht edhe e fundit për këtë skuadër në merkaton e verës. Me marrjen e Rexhës ka shkuar në 11 numri i lojtarëve të blerë. Para tij kanë firmosur për skuadrën shkodrane Deliç, Nallbani, Begaj, Beqiri, Osmani, Dragoi, Shtubina, Hysa, Semina dhe Tafili. Në këtë mënyrë në skuadër ka ardhur një formacion i tërë dhe tashmë pritet vetëm marrja e rezultateve pozitive nga Vllaznia. Nëse ka ardhur Rexha, në stërvitjen e djeshme nuk ka qenë prezent gjeorgjiani Madsuradze që kishte ardhur për provë por është larguar menjëherë sepse ka rezultuar i pavlefshëm për kuqeblutë. Po ashtu, me marrjen e Rexhës tashmë ka rënë poshtë edhe mundësia e marrjes së kroatit Vruçina. Merkatoja kuqeblu tashmë konsiderohet e mbyllur. Të paktën parimisht sepse deri më 31 gusht nuk përjashtohet mundësia të dalë në dritë edhe ndonjë lëvizje tjetër.
www.shkodrasport.com