Ndonëse ende nuk e ka hedhur të zezën mbi të bardhë, Bedri Greca mund të quhet sërish lojtar i Kastriotit edhe për sezonin e ardhshëm.
Sulmuesi, të cilit i kishte përfunduar kontrata në fundin e sezonit të shkuar, ka rënë dakord parimisht me drejtuesit për zgjatjen e bashkëpunimit edhe për edicionin e ri, ndonëse janë ende disa pika për t’u dakordësuar.

Sot, pritet që 31-vjeçari t’i bashkohet skuadrës në stërvitje duke qenë se ekipi pritet të nisë fazën përgatitore.Në kampionatin e fundit, Greca ishte një ndër pikat kyçe të krutanëve, pasi u aktivizua në 31 ndeshje, 28 prej të cilave nga minuta e parë.Gjithashtu, tiranasi realizoi edhe 6 gola, disa prej tyre me vlerë prej tri pikësh.

Me Grecën në skuadër, tekniku Çela ka tashmë një armë më shumë, duke qenë se edhe një pjesë e lojtarëve që mbyllën sezonin do të jenë pjesë e Kastriotit edhe për një sezon.

MERKATO – Krutanët deri më tani kanë bërë vetëm dy zyrtarizime, mirëpo merkatoja ende nuk është mbyllur. Negociatat vijojnë të jenë intensive me disa lojtarë të rëndësishëm dhe janë disa pozicione ku synohen përforcime.

Një sulmues, një mesfushor anësor dhe një qendërmbrojtës janë kërkesat e stafit teknik kundrejt presidencës, teksa pritet që ditët në vazhdim të jenë vendimtare.

Gjithashtu, gjatë kësaj jave do të vendoset edhe për disa nga lojtarët të cilët po stërviten me krutanët në formë prove dhe testi miqësor, që pritet të zhvillohet me Kukësin në fundjavë do të jetë edhe dita kur do të vendosen pikat mbi “i” për këta lojtarë.