Eklent Kaçi është një nga lojtarët më të talentuar në sportin e Bilardos.

Në Doha ai mori pjesë në kampionatin Botëror në Disiplinën 9-Ball dhe u rendit i treti, një arritje kjo për sportistin në fjalë dhe për vendin tonë, që realisht nuk është se e ka vlerësuar.

Gjithsesi, djaloshi që para pak kohësh ka mbushur 19 vjeç, vijon rrugëtimin e tij dhe regjistron një tjetër rekord.

Sot, kur po shkruajmë, ai është i treti në renditjen e përgjithshme botërore.

Janë disa turnetë e fituar prej tij, teksa World Pool Series (8-Ball) në USA e ka fituar dy herë nga katër edicionet e zhvilluara gjatë vitit 2017.

Në “USA Open” shkoi deri në finale, ku u mposht.

Në vendin tonë nuk numërohen trofetë, ndërkohë që së fundmi mori pjesë edhe në Europianin e Snooker-it U21 në Bullgari.

E mbylli në vendin e 17-të.

Për kujtesë, i riu ka fituar pesë medalje në kampionatet evropiane për paratërinj: 2 medalje argjendi dhe tre medalje bronzi.

Më e bukura është se në një ngjarje historike, kur Federata Shqiptare e Bilardos fitoi të drejtën për të organizuar Europianin në Shqipëri, Kaçi nuk u lejua të marrë pjesë.

Ndodh në vendin tonë, ku shumë Federata janë “privatizuar”. Sipas Edmond Lokut, numri një të federatës, Kaçi nuk ishte pjesë e federatës që drejtonte, edhe pse ishte kampion vendi me klubin e Laçit që përfaqësonte.

Mund të shpallej edhe kampion Evrope në atë kompeticion, ku ishte përzgjedhur edhe si imazhi i Evropianit nga EPBF (The Europian Pocket Billiard Federation). Sot është i treti në botë dhe kjo i thotë të gjitha! /EDS/