Një prej ekipeve që bëri histori në kualifikueset e kupave të Europës këtë sezon ishte Noah. Skuadra armene, e cila është formuar para vetëm 7 vitesh do jetë pjesë e grupeve të Conference League në sezonin 2024-25. Duke e nisur nga raundi i parë i kualifikueseve ku mposhtën Shkëndijën e Tetovës e për ta mbyllur mbrëmë me “play off” të fituar ndaj Ruzomberok, armenët vendosën një rekord.
Pasi ishin ekipi i vetëm në Europë që e nisën aventurën nga raundi i parë për të përfunduar në grupet e Conference League. Një kontribut në këtë kualifikim historik ka pasur edhe Erald Çinari. Sulmuesi shkodran u transferua në këtë merkato verore në rradhët e ekipit bardhezi. Duke u shndërruar në protagonist në këtë fillim sezoni me lojën dhe golat e tij.
Mëngjërashi arriti të shënonte dy herë gjatë kësaj fushate europiane për ekipin nga Jerevani. Po ashtu ish-futbollisti edhe i Vllaznisë dhe Partizanit në kampionatin tonë ka shënuar edhe dy herë në dy javët e para të kampionatit armen. Duke treguar një përshtatje të menjëhershme me ekipin e ri, ku shkodranit po i jepet një rol protagonisti.
Megjithatë në ndeshjen e mbrëmshme ndaj Ruzomberok, Çinari nuk u paraqit si titullar për shkak të një shqetësimi të vogël fizik, ai ishte pjesë e një arritjeje historike. Ndoshta jo vetëm për futbollin armen, por edhe atë europian ku nuk kishte ndodhur që një skuadër ta niste nga faza e parë e kualifikuesve për të përfunduar në grupet e një kompeticioni europian. Ku tashmë Noah do jetë pjesë e Conference League së bashku me Çinarin në përbërje. /SHKODRASPORT.COM/