Arsen Elbasani ishte njëri ndër futbollistët më kryesorë të Veleçikut të këtij sezoni, teksa me kontributin e tij, ai spikati në këtë vit futbollistik, duke luajtur në krahun e djathtë të mesfushës dhe mbrojtjes koplikase.

Ish-futbollisti i Akademisë Vllaznia, i cili ka qenë pjesë edhe e Kombëtareve të moshave, me Veleçikun në këtë sezon dha kontributin e tij në 20-ndeshje, në rolin e mesfushorit dhe mbrojtësit të djathtë, duke shënuar madje edhe tre gola.

Në një intervistë për “Shkodra Sport”, mesfushori 21-vjeçar shprehet i kënaqur me atë çfarë prodhoi ky sezon, ndërsa theksoi faktin se është bërë maksimumi nga stafi teknik, me në krye trajnerin Dritan Smajli dhe nga i gjithë ekipi për t’u ngjitur në Kategorinë e Parë, por nuk ia arritën dot qëllimit të tyre.

Sa i takon të ardhmes së tij, Arsen Elbasani thotë se ndjehet mirë për momentin tek Veleçiku, por në vazhdimësi mbetet për t’u parë nëse do të vijojë të luajë në Koplik apo jo. Megjithatë, më poshtë mund të lexoni edhe prononcimin e Elbasanit për gazetarin e “Shkodra Sport”, Maringlen Zhivani.

“Sezoni me Veleçikun? Si fillim, dua të them që si nga stafi teknik, me në krye trajnerin Dritan Smajli, por edhe nga ekipi, është bërë maksimumi në të gjithë sezonin. Kemi zhvilluar shumë ndeshje të mira, sidomos në fazën e dytë, me të gjitha fitore dhe vetëm një barazim. Synimet ishin të qarta dhe ia arritëm deri diku. Gjithsesi, jam i kënaqur nga ky sezon.

Keqardhje për mosngjitjen? Patjetër që, më vjen keq që nuk arritëm të ngjiteshim, pasi kemi bërë një sezon fantastik, por mund të them që kemi dhënë më të mirën tonë.

Aspekti personal? Në fakt, për mua ky sezon ka qenë i mirë. Në çdo ndeshje jam munduar të jap më të mirën si për vete, ashtu edhe për ekipin dhe besoj se e mbylla në mënyrë shumë të mirë me realizimin e një goli ndaj Valbonës.

Problemet me arbitrimin ndaj Valbonës? Mund të them se arbitri Blerim Ziri ndikoi në të gjitha aspektet e lojës dhe na vendosi nën presion të gjithë ekipin. Kjo ishte shumë e qartë dhe e dallueshme në të gjithë ndeshjen.

E ardhmja në Koplik? Kjo mbetet për t’u parë në vazhdim, por mund të them se më ka ndihmuar shumë të fitoj eksperiencën e duhur për të ardhmen time.

Veleçiku sezonin e ardhshëm? Sezoni i ardhshëm besoj se ka për të qenë një garë shumë e fortë, pasi ka ekipe shumë të mira. Megjithatë, shpresoj që Veleçiku të ngjitet aty ku i takon, pikërisht në Kategorinë e Parë”,-mbylli prononcimin e tij, mesfushori i djathtë i Veleçikut, Arsen Elbasani.
Maringlen ZHIVANI