Heroi i fitores së Vllaznisë, Arsen Hajdari, tregoi pas ndeshjes për emocionet e sfidës së djeshme në Korçë. Ai e pranoi se ekipi i tij ishte i kënaqur edhe me një barazim. “Ishte merita e ekipit që unë realizova atë gol, për çka i falënderoj të gjithë çunat. Ndaj Skënderbeut ishte një ndeshje shumë e vështirë, por kemi punuar vërtet shumë për ta arritur këtë fitore të merituar. Besoj se morëm atë që kërkonim, që kur jemi nisur nga Shkodra, edhe pse me një barazim do të ishim të kënaqur. Që nga ardhja e profesor Bushatit ne kemi ndryshuar shumë, si në mënyrën e lojës ashtu edhe në stërvitje.
Është merita e tij që ne e kemi marrë sërish veten, pasi shikohet një ndryshim komplet i ekipit. Shpresojmë që të shkojmë sa më lart, pasi kjo fitore në një fushë të vështirë do të na motivojë akoma edhe më shumë. Trajneri na ka futur që në fillim shpirtin e garës, ndaj një falënderim i veçantë shkon edhe për të, por pa harruar këtu tifozët e mrekullueshëm shkodranë, të cilët besoj se do të na mbështesin edhe më tepër në ndeshjet e tjera. Goli im është për ata”, – deklaroi mesfushori.Në fakt, dalëngadalë kemi filluar të shohim sërish atë Hajdarin e sezonit të kaluar dhe kjo është ajo që pritej nga të gjithë.
www.shkodrasport.com