Vllaznia duket se po e kthen në traditë nxjerrjen e një talenti çdo vit. Para 5 sezonesh ishte Gilman Lika, më pas Xhevahir Sukaj, tre vjet më parë I erdhi rradha Shtubinës, pastaj Balës, vjet ishte Vajushi, ndërsa sivjet ka një tjetër emër të ri që po spikat. Sigurisht në ndryshim nga të mëparshmit, nuk është krejt I ri në moshë, por është zbulimi I vërtetë I Vllaznisë së këtij sezoni. Bëhet fjalë për Arsen Hajdarin, një futbollist  që po spikat me performancën e tij në këtë kampionat. 23 vjeçari është mbi të gjitha një futbollist polyvalent. Gjatë këtij sezoni është provuar të luajë edhe mbrojtës në krahun e majtë, mesfushor në po këtë krah apo dhe në të djathtin ndërkohë që në ndeshjet e fundit, po shfaqet edhe si sulmues. Sigurisht që nuk ka aftësinë e mirëfilltë të një sulmuesi tipik megjithatë ka filluar ta përmirësojë edhe këtë gjë, teksa në tre ndeshjet e fundit ka shënuar dy herë, pikërisht ndaj Kamzës për kampionat dhe Skënderbeut për kupë. Nëse deri më sot, ky lojtar nuk ka rënë shumë në sy, e ka edhe nga “prejardhja” e tij. Një futbollist që ka luajtur prej tre sezonesh në kategorinë inferior me Adën, ka qenë nga më të mirët me të. Aq sa drejtuesit e kësaj skuadre, prej kohësh kishin këmbëngulur tek ish-presidenti Fushaj për ta marrë në skuadër. Më në fund, kjo u bë e mundur në gusht të vitit të kaluar dhe në kontratën e firmosur në limitet e merkatos së verës, edhe vetë drejtuesit e klubit Vllaznia nuk e kishin shumë besimin se Arsen Hajdari do bëhej ky që është sot. Këtë e tregon edhe fakti se ata firmosën me të kontratë vetëm njëvjeçare dhe për më tepër, me një rrogë që sot mund të duket qesharake: vetëm 380 mijë lekë të vjetra në muaj. Por lojtari vetë në atë periudhë ishte I kënaqur. E rëndësishme për të ishte “të fuste kokën” në skuadër. Sepse më pas, do kishte mundësi të tregonte se çfarë është në gjendje të bënte. Me Josën trajner, ai nuk është se pati shumë hapësirë. Ndonjë minutë në ndonjë ndeshje të veçantë dhe vetëm kaq. Me ardhjen e Vatës në pankinë, gjërat ndryshuan. Ish-kapiteni I kombëtares shqiptare tashmë në rolin e trajnerit, spikati tek ky futbollist disa dhunti të veçanta. Shpejt e bëri titullar dhe madje prej disa kohësh, sëbashku me Smajlin janë dy lojtarët më të formë të skuadrës. Pikërisht kjo performancë e tij, ka bërë që ai të bjerë në sytë e menaxherëve dhe drejtuesve të ekipeve të tjera. Bëhet e ditur se ata kanë filluar ta kenë në qendër të vëmendjes dhe kuptohet që do kërkojnë të përfitojnë nga fakti që kontrata e tij me klubin Vllaznia mbaron në fund të këtij sezoni. Kuptohet që ta marrësh një futbollist me vlera të tillë, në parametrat zero, do ishte një përfitim I madh për secilin klub. Por nga ana tjetër, bëhet e ditur se edhe drejtuesit e klubit shkodran po mendojnë që shumë shpejt t’I ofrojnë rinovimin e kontratës. Se çfarë do bëjë lojtari, kjo mbetet për t’u parë, nëse ai do vendosë të qëndrojë sërish tek Vllaznia që e bëri të njohur apo do shohë ofertën më të mirë financiare. E rëndësishme për të tashmë është që nuk kemi të bëjmë me të njëjtën situatë si atë të fillimit të sezonit. Nëse Hajdari në gusht pranoi çdo kusht të kontratës vetëm që të federohej me Vllazninë, tashmë do jetë ai që do vërë kushte dhe në fakt e meriton.
Gjergj KOLA