Arsen Hajdari ka qenë “njeriu-gol” në takimin e së shtunës. Ai, me shumë finesë, ka arritur të realizojë golin e vetëm për t’i dhënë skuadrës së tij tri pikët e radhës.
Realizim me shumë vlera që shërben për të ruajtur të paprekur serinë e fitoreve, ku tani janë plot gjashtë të tilla në po kaq takime. Një ecuri shumë pozitive që vlerësohet edhe nga autori i golit të vetëm në përballjen e fundit.
“Nuk ishte një takim i lehtë për ekipin tonë dhe mund të them se vuajtëm për të gjetur golin. Skuadra po funksionin shumë mirë, por me sa duket po ndihemi jo mirë në këtë fushë, e cila nuk na lejon që të shprehemi siç edhe duhet në lojë.
Megjithatë, ka shumë rëndësi që edhe kësaj here arritëm që të marrim rezultatin maksimal. Kemi kaluar një skuadër të fortë, e cila në përbërje ka lojtarë që luajnë mirë futboll, por mund të them se për vetë mundësitë që kishim, arritëm një fitore tejet të merituar”, u shpreh fillimisht Hajdari për “Panorama Sport”.
Sulmi – Për Hajdarin, goli i shënuar ka qenë i dyti në këto gjashtë javë, duke treguar edhe një herë se vija e sulmit po funksionon mjaft mirë.
Pesë gola të Xhuniorit, dy të Hajdarit, një i Zogajt dhe vetëm një gol i mesfushorit Tafili tregon se treshja sulmuese e vendosur në takimin e fundit po kryen në mënyrën më të mirë të mundshme punën e saj.
“Ky është goli i dytë i imi në këtë sezon dhe të them të drejtën ndihem mirë që sulmi po bën në mënyrën më të mirë të mundshme punën e vet. Ne kemi punuar në këtë drejtim që të krijojmë mundësi për njëri-tjetrin, në mënyrë që të realizojmë gol dhe deri tani nuk kemi lënë asnjë takim pa shënuar.
Më vjen keq se mund të kishim shënuar edhe më shumë, ashtu siç edhe patëm mundësi edhe në këtë takim me Erzenin. Megjithatë, duhet të them se jo vetëm sulmi, por pa asnjë përjashtim, i gjithë ekipi po funksionon shumë mirë”, vijoi gjysmësulmuesi.
Vazhdimësia – Kuqeblutë kanë një ecuri pozitive në këto javë të para. Rezultatet janë bindëse dhe po triumfojnë si me lojë edhe me rezultate, duke arritur pikët e plota.
“Ecuria e këtyre javëve të para është pozitive dhe këtë duhet që ta ruajmë edhe në vazhdimësi. Kemi kaluar disa nga ekipet më të forta, por do të shikojmë dhe të tjerat, në mënyrë që të vlerësojmë më drejt kundërshtarët që do të kemi në fazën e dytë.
Megjithatë, ne nuk duhet që të shikojmë se kush janë kundërshtarët, por atë që do të bëjmë vetë ne. Takimet do të vështirësohen nga java në javë, por kjo nuk duhet që të na vërë në presion.
Jo vetëm kjo, por te ne nuk ka asnjë shenjë vetëkënaqësie. Përkundrazi, ne po punojmë fort çdo ditë, në mënyrë që çështjen e Superiores ta zgjidhim sa më shpejt.
Nuk e kemi ‘autostradë’ rrugën, por do ta bëjmë të tillë nëse tregojmë lojëra të mira dhe një superioritet ndaj të gjithë kundërshtarëve”, deklaroi mesfushori me tipare sulmuese i Vllaznisë, Arsen Hajdari.