Sezonin e kaluar ka qenë zbulimi I Vllaznisë. Në kampionatin aktual ndërkohë nuk ka qenë I njëjti. Arsen Hajdari, mesfushori shkodran megjithatë ka bërë gjithnjë më të mirën për këtë skuadër. në çdo seancë stërvitore, ka përkushtim maksimal prej tij. Po ashtu edhe në ndeshje. Ndoshta në formën e tij mund të ketë ndikuar edhe fakti që Vllaznia nuk ka qenë në atë nivel që pritej në fazën e parë. Lojtari që muajin e ardhshëm mbush 24 vjeç, është I kënaqur me mënyrën si po shkojnë gjërat gjatë këtyre ditëve në stërvitje. Ai konstaton ndryshim në mënyrën e stërvitjes por edhe në tempin e saj prandaj dhe shprehet:
“Gjithçka shkon mirë në stërvitjen tonë. Që me ardhjen e trajnerit Bushati vërehet edhe ndryshimi dhe prandaj kam shumë shpresë se në fazën e dytë, do jemi shumë më mirë në të gjitha drejtimet”. Gjatë këtyre ditëve në Ulqin ai nuk ka kaluar asnjë dëmtim, ia ka arritur t’I përballojë siç duhet ngarkesat stërvitore dhe në kushte të tilla, po djersin jo pak në mënyrë që kur të rifillojnë ndeshjet zyrtare, të tregojë të njëjtat vlera si sezonin e kaluar. Në mënyrë që edhe skeptikët të cilët nuk besojnë se do ketë një “shpërthim” tjetër të tij, të binden për këtë gjë. Por për fazën e dytë ka edhe diçka tjetër që mund të dhurojë një formë ndryshe dhe rënie me tepër në sy e Hajdarit. Trajneri Artan Bushati është duke kërkuar një mënyrë tjetër loje gjatë këtyre ditëve në stërvitje nga lojtarët që luajnë përpara. Në çdo seancë stërvitore ka shumë taktikë për të shkuar pikërisht tek idetë që kërkon ai të fusë në skuadër. I pyetur në lidhje me këtë gjë dhe a e sheh të realizueshme, Hajdari do të shprehej: “Po, trajneri Bushati na ka kërkuar mua dhe Dragoit të luajmë më të mbyllur. Udhëzimet e tij kanë qenë që ne si mbështetësit kryesorë të sulmit, duhet të jemi më pranë zonës. Mbase është pak e vështirë të bëjmë funksionimin e kësaj skeme kaq shpejt por po perfeksionohemi nga dita në ditë. Them se me këtë mënyrë loje ka për të na ecur mirë dhe golat nuk do jenë problem për Vllazninë në fazën e dytë. Mesfushori me tipare sulmuese I Vllaznisë në fakt këtë kampionat ende nuk e ka gjetur rrugën e rrjetës. Ndryshe nga sezoni I kaluar kur ai ishte protagonist me lojën por edhe me katër golat e shënuar. I pyetur për golat, Hajdari megjithatë nga Ulqini është shprehur se për të e rëndësishme është që mbi të gjitha Vllaznia të bëjë kthesën e duhur e për këtë shprehet: “Natyrisht që do ishte mirë të shënoja. Emocionet e shënimit të golave janë të mëdha. Këtë sezon nuk kam shënuar ende megjithatë shpresoj që në fazën e dytë gjërat të jenë ndryshe. Mbi të gjitha për Vllazninë. Unë shpresoj shumë se me përkushtimin që kemi gjatë kësaj periudhe në stërvitje dhe me ndryshimet që do bëhen në mënyrën e të luajturit, do ta çojmë këtë skuadër në atë vend që I takon”. Arsen Hajdari kësisoj ka premtuar një paraqitje ndryshe për fazën e dytë, për vetë dhe për skuadrën dhe tashmë duhet të presim këtë gjë nëse do jetë vërtetë kështu apo jo.
Gjergj KOLA