Skuadra shkodrane nuk ka më asnjë objektiv për pesë javët e mbetura të sezonit dhe në pamje të parë të duket sikur është “dorëzuar”. Por nuk mendon kështu, një nga lojtarët kryesor dhe kyç të këtij ekipi, Arsen Hajdari. Për të, çdo ndeshje e mbetur ka rëndësinë e vet, ku Vllaznia kërkon të jetë dinjitoze për të treguar vlerat e saj, edhe në këto kushte, kur kuqeblutë nuk kanë se çfarë të synojnë më, me përjashtim të renditjes në mesin “e artë” të tabelës së klasifikimit në kampionat. Lojtari më në formë i skuadrës shkodrane është i bindur se duke që ndaj Apolonisë, Vllaznia, jo vetëm do të kthehet tek fitorja, por edhe do të vazhdojë të ruajë këtë ritëm të paraqitjeve dinjitoze.

Apolonia

Pavarsisht se skuadra fierake ndodhet në pozita të vështira në fundin e tabelës së klasifikimit, në kampin shkodran nuk ka nënvlerësim në këtë drejtim. Vetë Hajdari e vlerëson si një ndeshje të fortë, por kurrsesi nuk mendon ndonjë disfatë apo rezultat tjetër veç fitores. “As që bëhet fjalë të mendohet dhe të arrihet rezultat tjetër veç fitores ditën e shtunë, ndaj Apolonisë. Fierakët, pavarsisht renditjes aktuale, kanë treguar nivel të kënaqshëm loje, ndaj kundërshtarëve të tjerë, kështu që ne do t’u japim vlerësimin e duhur, por natyrisht dhe “leksionin” e duhur. Ata nuk kanë se çfarë të humbasin në këtë situatë, në të cilën ndodhen, por në stadiumin “Loro Boriçi” t’i harrojnë pikët, qoftë dhe në ëndërr, me gjithë respektin, që kemi për Apoloninë, si një skuadër me traditë në futbollin shqiptar”, ka thënë Arsen Hajdari.

Premtimi

Duke qenë se është forca kryesore, goditëse, në sulm, të paktën për fazën e dytë të kampionatit,  nga Hajdari priten dhe golat për Vllazninë. Por për të duket se ka pak rëndësi ky fakt. “Për mua është e rëndësishme që të fitojë Vllaznia. Pastaj nëse arrij që të shënoj dhe unë, kjo është një kënaqësi dyfishe, por jo parësore. Jemi të motivuar për të bërë më të mirën ndaj Apolonisë, e natyrisht dhe për të dhënë maksimumin në të gjitha ndeshjet e mbetura. Motivimi ynë, plus, në këto ndeshje është trajneri Armir Grima së bashku me stafin e tij, që kanë sjellë një frymë të re në ekip, pavarsisht se jemi në fundin e kampionatin. Kështu që të gjithë së bashku do të arrijmë aty ku duhet në këto pesë ndeshje”, ka mbyllur prononcimin e tij, për gazetën online www.shkodrasport.com, sulmuesi i Vllaznisë Arsen Hajdari.

Admir Uruçi