Në pamje të parë ky emër nuk të thotë shumë gjë. Kuptohet që edhe ata që janë tifozë mund të kenë të drejtë sepse protagonisti i këtij shkrimi është larguar nga Shqipëria vetëm 19 vjeç. Pikërisht drejt Francës, për t’u shkolluar jo në ndonjë degë tjetër por sërish brenda sportit të tij të preferuar, atë të volejbollit. Historia e shkodranit Arsen Marashaj është shumë interesante. Fillon të luajë në Francë por e sheh që askush nuk e ka ndër mend t’i bëjë një ftesë për në kombëtare dhe i mërzitur për këtë fakt, merr zotimin të bëhet vetë trajner. Në mënyrë që nëse një ditë, atij do t’i krijohet mundësia të drejtojë kombëtaren shqiptare, të ftojë për të luajtur në rradhët e saj gjithë ata sportistë që e meritojnë. Nga Parisi, Marashaj pranon të flasë për gazetën online shkodrasport.com duke dhënë këtë intervistë:

 

-Arsen, kur keni lindur?
-Kam lindur në Shkodër më 27.01.1988.
-Në çfarë moshe e keni filluar sportin e volejbollit?
-E kam filluar këtë sport në moshën 15 vjeçare madje për kuriozitet mbaj mend edhe datën e parë kur kam nisur stërvitjen, më 4 prill 2003 me të rinjtë e Vllaznisë me trajner Artan Kalajën.
-Cila ka qenë karriera juaj si sportist?
-E kam filluar si pasues dhe ashtu e kam mbyllur karrierën. Në sezonin sportiv 2004-2005 kam dalë kampion me të rinjtë e vllaznisë. Në sezonin 2005-2006 sërish kampion me të rinjtë njëkohësisht kam marrë edhe diplomë nga FSHV-ja si organizatori më i mirë i kampionatit. Po ashtu edhe në sezonin 2006-2007 kampion me të rinjtë, fitues i kupës “Rinia” dhe diplomë si organizatori më i mië për kampionatin e të rinjve por edhe në kupën “Rinia”. Kam qenë edhe pjestar i ekipit kombëtar shqiptar në volejboll për të rinj në vitin 2007, teksa kam marrë pjesë në Kampionatin Ballkanik në Sarkoy (Turqi) me Arion Çunin, Endri Juknin dhe Nikolin Qafarenën,e dhe këto volejbollistë të Vllaznisë ndërkohë që zëvendëstrajner i kombëtares të të rinjve ishte Artan Kalaja.
-Deri këtu ka vazhduar karriera juaj?
-Në Shqipëri po sepse në gusht të vitit 2007 vendosa të largohen dhe erdha këtu në Francë, ku jam edhe sot për të vazhduar shkollën si trajner. Përveç shkollës, në Francë vazhdova edhe volejbollin teksa fillimisht vetëm stërvitesha me një ekip të nivelit N2 pasi nuk munda të marrë pjesë në kampionat se rregullorja e këtij niveli lejonte vetëm dy të huaj jashtë Bashkimit Europian dhe ky ekip- ACBB i kishte dy të huaj kështu që deri në qershor të vitit 2008, veç jam stërvit me të. Pas kësaj periudhe, kam lujtur në të njëjtin nivel ku luan sot volejbollisti shkodran Arion Çuni aktualisht “Nationale 3” me ekipin e Saint-Cloud Volley, qytet 15 km larg Parisit
pastaj ne sezonin 2009-2010 edhe 2010-2011 kam lujtur në të njëjtin nivel me ekipin e Issy-Les-Moulineaux. Po ashtu, në sezonet 2007-2008, 2009-2010, 2010-2011 kam marrë pjesë në ekipin e Universitetit ku gjatë sezonit 2009-2010 kemi dalë në vend të tretë në Francë, në kampionatin e nivelit të parë francez.
-Jeni grumbulluar ndonjëherë me kombëtaren e të rriturve ngaqë luanit në nivele të tilla në Francë?
-Për fat të keq jo. Dhe kjo më mërziti jo pak. Duke parë që trajnerët e kombëtares sonë nuk u bënë të gjallë të më bënin qoftë edhe një ftesë të vetme, i vura vetes detyrë t’i përkushtohesha më shumë zanatit të trajnerit të volejbollit. Ky sport është jeta ime. Volejbolli është gjëja e fundit që mund të lë në jetë sepse për mua është gjithçka
-Thatë që vendosët t’ hyni rrugës së trajnimit. Keni marrë liçensë për këtë?
-Kam pasë një liçensë fillimisht për të drejtuar ekipe të rinjsh ndërsa duke filluar nga sezoni i fundit, kam marrë liçensën për të drejtuar edhe ekipi të rriturisht. Në sezonin e fundit kam drejtuar ekipin e volejbollit të femrave të qytetit Ivry-Sur-Seine, shumë pranë Parisit, ekip ky që merr pjesë në kampionatin rajonal.
-Do të kërkoni t’i ngjitni shkallët tuaja si trajner?
-Tash së fundi, kam mbrojtur një diplomë të re trajneri, atë që quhet “Tranier federatet, niveli 1” dhe shpresoj se kjo diplomë do më ndihmojë shumë në karrierën time.
-Cila është ëndërra e madhe e Arsen Marashajt?
– ëndërra e madhe e imja ka qeë të bëja pjesë në kombëtaren e të rriturve të Shqipërisë, por fatkeqësisht tham se është ëndërr e parealizushme. Ndoshta do ta arrij si trajner.Unë edhe për dy javë diplomohem në Universitet dhe për vitin që vjen kam arritur të marr nën drejtim një ekip me nivel shumë të mirë loje. Ekipi quhet ASA Maisons-Alfort, që merr pjesë në kampionatin “Nacionale 3”, i njëjti nivel ku unë kam lujtur më përpara. Kontratën me drejtuesit e tij e kam firmosur pak ditë më parë. Në këtë mënyrë, duke i ndjekur hapat një e nga një, besoj se do të rritem në karrierë. Unë jam vetëm 24 vjeç dhe besoj se karrierën si trajner e kam nisur mbarë. E rëndësishme është që tani të filloj të marr frutet e punës dhe përkushtimit tim. E përsëris, do ndjehesha plotësisht i realizuar nëse një ditë unë do të drejtoja kombëtaren shqiptare të volejbollit.
Intervistoi: Gjergj KOLA

Marashaj duke u intervistuar nga gazetari i mirenjohur Ymer Striniqi kur luante me te rinjte e Vllaznise dhe shpallej kampion i vendit.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Marashaj si trajner duke drejtuar nje ekip femrash ne France.