Arsen Venger do të kthehet shumë shpejt në drejtimin e një skuadre dhe këtë e ka konfirmuar edhe vetë tekniku francez pak kohë më parë. Por nga Gjermania vjen lajmi i bujshëm se ai do të marrë drejtimin e një klubi i cili për shumë vite iu bë makth, Bajern Mynihut.

Bavarezët janë në krizë të plotë dhe gjenden larg kreut në kampionat, duke zhgënjyer plotësisht nën drejtimin e Niko Kovaç i cili nuk ka një raport të mirë me futbollistët që ka në dispozicion.

Edhe pse pak javë më parë drejtuesit e mbrojtën atë publikisht, tanimë duken gati të zëvendësojnë kroatin dhe kandidatura kryesore për ta zëvendësuar që ka dalë në skenë është ajo e Arsen Venger.

Sipas “Bild”, emri i francezit tërheq shumë në Mynih dhe drejtuesit janë gati për firmën me të, edhe për faktin se duke qenë nga Alsasa, një krahinë në kufi me Gjermaninë, Venger di mirë gjuhen gjermane dhe nuk do të kishte probleme komunikimi në klubin e tij të ri.

Gjithsesi, kjo zgjedhje do të ishte shumë e veçantë për ish-trajnerin e Arsenalit, i cili ka vuajtur gjithmonë përballë bavarezëve në Ligën e Kampioneve. Që nga sezoni 2012-2013, deri ën atë 2016-2017, Arsenali u eliminua tre herë nga bavarezët në fazën e parë me eliminim direkt të turneut më të famshëm për klube në Europë. /vipsport/