Fulham, që e ka nisur sezonin në luftë për “mbijetesë”, do të presë Arsenal, një ekip që është në formë dhe ka fituar pesë ndeshje radhazi në kampionat, duke lënë pas shpine startin me dy humbje.

Ky do të jetë derbi i tretë i Londrës për të dyja klubet.

Fulham ka humbur kundër Crystal Palace dhe Tottenham. 1 fitore, 2 barazime dhe 4 humbje është bilanci i londinezëve në këtë sezon dhe ata janë një nga tre ekipet që kanë pësuar mesatarisht më shumë se dy gola për ndeshje (2.29). Kanë kaluar katër ndeshje që nga fitorja e tyre e fundit, teksa kanë humbur në tre përballjet e fundit radhazi kundër Arsenal.

Gjithsesi, Fulham mund të bazohet te forma e mirë në fushën e tij, ku ka fituar 11 dhe humbur vetëm 1 nga 15 ndeshjet e fundit, duke mbajtur rrjetën të paprekur në 9 nga këto sfida. Por duhet thënë se pjesa më e madhe e këtyre ndeshjeve kanë qenë në Championship.

Nga ana tjetër, Arsenal ka fituar tetë ndeshje radhazi në të gjitha veprimtaritë. Në nëntë ndeshjet e fundit “topçinjtë” kanë shënuar 24 gola, 2.67 gola për ndeshje.

Shtatë nga nëntë ndeshjet e fundit të Arsenal kanë prodhuar më shumë se 2.5 gola.

Aleksandar Mitrovic ka qenë arma kryesor e Fulham në këtë edicion të Premier League me pesë gola në shtatë ndeshje, ndërsa Alexandre Lacazette i Arsenal ka gjetur vendin e titullarit pasi ka shënuar dy gola dhe ka dhënë dy asiste në katër ndeshjet e fundit.

64% të ndeshjeve të luajtura nga këto dy ekipe në këtë edicion të Premier League kanë prodhuar mbi 2.5 gola, ndërsa 43% kanë prodhuar mbi 3.5 gola.

Kurioz është fakti se Arsenal është një nga dy ekipet, jashtë tre vendeve të fundit, që asnjëherë nuk e ka mbyllur pjesën e parë në avantazh në këtë kampionat…