Arsenal ka mposhtur 4-2 Tottenham në derbin e çmendur të Londrës Veriore. Atmosfera ishte elektrizuese në Emirates dhe ndeshja ishte një nga më të bukurat e viteve të fundit, me gola, kartonë të kuqë e të verdhë, sherr mes lojtarëve dhe spektakël.
Në fund ishin Topçinjtë ata që fituan me meritë ndaj një Tottenham të lodhur nga ndeshja e mesjavës duke i kaluar edhe në renditje. Arsenal është pozicionuar në vendin e preferuar, pikërisht në të katërtin.
E vetmja gjë pozitive për miqtë është rekordi i Harry Kane i cili tashmë ka shënuar 8 gola në derbin e Londrës, askush nuk ka më tepër se ai.
Arsenal bën një start fantastik të ndeshjes. Të besuarit e Emery e nisin me një temp të lartë ndeshjen në Emirates dhe shpërblehen në minutën e 10’ me golin e Pierre-Emerick Aubameyang. Sulmuesi nga Gaboni ka zhbllokuar rezultatin nga pika e bardhë e penalltisë. Arbitri Mike Dean akordoi penalltinë pas prekjes së topit me dorë të Jan Vertonghen.
Pak minuta më pas Alex Iwobi mund të kishte dyfishuar rezultatin, por goditja e tij pritet mrekullisht nga Hugo Lloris. Në minutën e 3)’ përmendet Tottenham, që deri në atë moment ishte në gjumë. Ishte Eric Dier ai që barazoi rezultatin pas krosit të bukur të Eriksen. Pas golit pati një sherr masiv në anësore të fushës pasi Dier provokoi tifozët.
Katër minuta më vonë arbitri akordon një tjetër penallti pas rrëzimit të Son brenda zonës. Ishte Harry Kane ai që nuk fali përpara Leno-s. Tottenham, megjithëse pa meritë, arrin të përmbysë brenda katër minutave. Pas pushimit është përsëri Arsenal ekipi më superior në fushë dhe Aubameyang barazon rezultatin në minutën e 56’ pas një goditjeje fantastike në hyrje të zonës.
Vendasit marrin zemër dhe ushtrojnë presion mbytës ndaj Spurs, që duken të lodhur në fushën e lojës. Dhe në minutën e 77’ erdhi goli i merituar i avantazhit. Ishte Alexandre Lacazette ai që goditi nga distanca një top që pasi devijohet përfundon në rrjetë.
Fati ndihmon më të mirë dhe Arsenal ka treguar se e meriton më tepër se Tottenham. Vetëm një minutë më pas, Torreira ka vulosur fitoren e Topçinjve me një gol të bukur nga brenda zonës. Në minutën e 85’ Vertonghen del nga loja me karton të kuq pas një faulli të tmerrshëm ndaj Lacazette.