Mikel Arteta është zgjedhur trajneri më i mirë i muajit nëntor dhe dhjetor në Premier Ligë, pasi i udhëhoqi “Topçinjtë” në 4 fitore në po kaq ndeshje gjatë këtyre dy muajve. Spanjolli ruajti formën e mirë të sezonit edhe pas Kupës së Botës dhe i është akorduar çmimi i dytë këtë sezon.
Fitoret ndaj Çelsit dhe Uolvesit përpara Botërorit mbyllën pjesën e parë të sezonit, përpara se ata të rinisnin atje ku e lanë në dhjetor me një fitore 3-1 ndaj Uest Hemit dhe fitoren 4-2 ndaj Brajtonit.
Ai fitoi konkurrencën me trajnerin e Njukasëllit, Edi Hau, Jyrgen Klopin e Liverpulit dhe Tomas Frenkun e Brentfordit. I takoi Arsenalit edhe çmimi i lojtarit më të mirë të muajit, ndërsa u fitua nga kapiteni Odegard.
Në konferencën për shtyp përpara derbit me Totenhemin të dielën, Arteta tha se Zhezus është shumë larg rikthimit dhe pranoi se kryesuesit e Premier Ligës janë në merkato për të afruar një sulmues.
“Topçinjtë” duken pranë sulmuesit të Shahtjorit, Mikhailo Mudrik, për të cilin do të bëjnë një ofertë të tretë: “Unë do të doja ta shihja Gabrielin shumë shpejt, por nuk mendoj se kjo do të ndodhë.
Na duhet të tregojmë durim. Do të përpiqemi të afrojmë një sulmues. Totenhemi? Jemi këtu për të luajtur këto ndeshje. Është një prej ndeshjeve më të mëdha të sezonit tonë. E dimë se çfarë do të thotë për ne në klasifikim, por edhe për tifozët tanë. Duhet të luajmë mirë dhe të fitojmë”.