Kuqeblutë e Vllaznisë do të luajnë nesër ndeshjen e rradhës ndaj Bylisit në Ballsh dhe në kampin shkodran ka shumë besim dhe entuziasëm për të marrë një tjetër fitore. Këtë besim ka edhe njëri prej lojtarëve të kësaj skuadre, pikërisht Arsid Kruja.

Ai ka qenë i ftuar në emisionin “Sport Arena” dhe duke folur për përballjen e nesërme me ballshiotët është shprehur entuzias për një tjetër fitore.

“Skuadra për këtë ndeshje do të jetë e plotë. Ne jemi të vetëdijshëm dhe nuk pretendojmë që të luhet një futboll i bukur, pasi kundërshtari do të kërkojë medoemos të marrë pikë në të gjitha mënyrat.

Kjo nisur nga pozicioni ku janë në renditje, janë një skuadër agresive dhe sidomos në Ballsh e po ashtu edhe fusha nuk është në kushte shumë të mira, por ne i kemi marrë masat dhe besoj se do të dalim me fitore nga kjo ndeshje.

Ne do të bëjmë punën tonë dhe nuk e kemi mendjen as tek arbitrimi apo detaje të tjera sepse merren të tjerët me këto punë. Duhet të bëjmë detyrat që do të thotë trajneri. Vllaznia beson tek fitorja edhe në këtë ndeshje sepse kemi treguar të gjithëve mënyrën si luajmë dhe besoj se do të dalim me tre pikë edhe nga kjo përballje”.

Por a do të jetë në fushë Kruja në këtë ndeshje? Për të nuk ka shumë rëndësi. E thotë edhe vetë kur shprehet: “Tek Vllaznia e sivjetme nuk ka asnjë problem se kush luan dhe kush jo. Ka një atmosferë të shkëlqyer në skuadër dhe secili mundohet të japë më të mirën sa herë që i jepet mundësia të luajë.

Nëse do të luaj premtoj se do të jap më të mirën, por edhe nëse nuk luaj, sërish do të mbështes shokët e ekipit për të fituar sepse duhet ta ruajmë këtë moment të mirë që po kalojmë”./SHKODRA-SPORT.COM/