Arsid Kruja është një nga futbollistët e Vllaznisë që gjithmonë mundohet të japë maksimumin në fushën e lojës sa herë që aktivizohet. Për nevoja të skuadrës, ai ka pranuar të luajë në disa pozicione të fushës së lojës dhe realisht, edhe ditën e djeshme ndaj Laçit, nuk ishte në pozicionin e tij natyral, por në fakt përgjithësisht bëri mirë ndaj kurbinasve.

Në këtë ndeshje, Kruja ka patur statusin edhe të ishit, duke qenë se më parë ka luajtur për skuadrën e Laçit. Mesfushori shkodran pak është preferuar nga trajneri Mirel Josa në formacion si titullar, por me kuqeblutë të përfshirë nga disa dëmtime që i mundojnë prej disa javësh, tekniku kryeqytetas i dha mundësinë Krujës të shfaqë vlerat e tij.

Ky aktivizim i tij si titullar erdhi edhe pas golit të shënuar në mesjavë për Kupë ndaj Flamurtarit, në një ndeshje që mesfushori shkodran shkëlqeu për aq sa luajti, duke qenë se erdhi nga stoli.

Deri më tani në këtë sezon, Arsid Kruja ka luajtur pesë ndeshje, një si titullar dhe katër të tjera duke hyrë si zëvendësues nga stoli, teksa ka qenë në fushën e lojës për 153-minuta.
Maringlen ZHIVANI