Mesfushori Arsid Kruja ka mbyllur një sezon jo shumë të suksesshëm ndryshe nga ai më i mëparshimi kur u konsiderua zbulimi i tij. Arsyet kanë qenë të shumta, lëvizja nga Vllaznia drejt Arabisë fillimisht e më pas tek Flamurtari, kanë patur ndikimin e vet. Lojtari që pas pak ditësh do të festojë 22 vjetorin e lindjes, ka rrëfyer për telesport.al atë se çfarë ka përjetuar në sezonin e fundit dhe si e sheh të ardhmen e tij. Ja intervista e plotë:
-Kruja, si ka qenë ky sezoni i fundit për ty?
-Do të thosha jo shumë pozitiv. Ka qenë një sezon disi i vështirë për mua sepse ndodhën disa lëvizje, nga Vllaznia tek Al Hajer e më pas tek Flamurtari.Këtu tek kjo e fundit, më duhej kohë të ambjentohesha për të dhënë maksimumin por nuk arrita ashtu si duhet edhe sepse koha ishte e shkurtër.
-Duke parë këto lëvizje, je i kënaqur në aspektin personal me atë që ke dhënë në fushë fillimisht tek Vllaznia e më pas tek Flamurtari?
-Jo, nuk jam i kënaqur. Vetë kam pritur personalisht një sezon më të mirë dhe tek asnjëra prej këtyre skuadrave nuk kam arritur të jap më të mirën. Pra, unë them se në këtë sezonin e fundit, nuk kam dhënë as 40 % të asaj çfarë mundem të jap.
-Po tek Flamurtari?
-Edhe aty nuk u ambjentova shumë duke parë edhe se Flamurtari nuk ishte në një gjendje të mirë pasi kishte kaluar edhe kjo skuadër një periudhë të keqe.
-Mendon se ke gabuar që pranove të huazohesh nga klubi arab tek Flamurtari?
-Nuk mendoj se kam gabuar pasi është mirë të luash për një ekip që të kërkon me ngulm dhe prandaj më vjen keq që nuk arrita të hap atë që pritej prej meje. Ky transferim ka ndodhur vetëm pas këmbënguljes së presidentit Idrizi dhe marëdhënieve të mira të tij me drejtuesit e klubit arab.
-Ndonjë peng të ka mbetur nga ky sezon?
-Shënimi i më shumë golave dhe një paraqitje më e mirë në ndeshjet që kam luajtur.
-Cila do jetë e ardhmja jote tashmë që ka përfunduar periudha e huazimit tek Flamurtari?
-Akoma nuk është vendosur me 100 % por me besoj se karriera ime do të vazhdojë në Arabi.
-Nëse drejtuesit e Al Hajer të thonë të luash edhe në sezonin e ri tek Flamurtari, do pranoje?
-E kam të vështirë të kthej përgjigje për momentin por dëshira është të iki e të luaj jashtë Shqipërisë.
-Si e mendon karrierën tëndë tani e tutje, ka ardhur momenti të shpërthesh?
-Tani është mosha më e mirë për të treguar vlerat e mira. Duhet më shumë stërvitje intensive dhe çdo gjë besoj se arrihet. Shpresoj të jetë momenti i duhur këtë sezonin që vjen.
-Një mendim për Vllazninë e sezonit që lamë pas, teksa edhe i shënuat asaj në fazën e katërt?
-Më vjen keq që e shoh në këtë gjendje por besoj se vitin tjetër do bëhet më mirë dhe do jetë konkurrente. Sa për golin që i shënova, unë isha pjesë e Flamurtarit dhe thjesht bëra detyrën por respektova edhe tifozët dhe Vllazninë duke mos festuar.
-A është e vërtetë se një nga arsyet e largimit nga Vllaznia në muajin janar, ka qenë marëdhënia jo e mirë me ish-trajnerin Raineri?
-Duke parë që fillova të mos aktivizohesha nga ana e këtij trajneri, kuptohet që ishte një arsye për t’u larguar nga Vllaznia dhe për të gjetur një strehë tjetër.
www.shkodrasport.com