Arsid Kruja, mesfushori i kudogjendur, ka shprehur keqardhjen për mosarritjen e titullit kampion. Për të, Vllaznia ka zhvilluar sezonin më të mirë të këtyre viteve të fundit. Megjithatë, në intervistën për “Panorama Sport”, nuk e fsheh se kuqeblutë patën mundësinë që të ishin kampionë të Superiores.
Sipas Krujës, gabimet e fazës së tretë ndikuan direkt në humbjen e mundësisë për arritjen e një objektivi maksimal këtë edicion. Vllaznia tani ka një mundësi të artë për të mos dalë pa trofe në këtë sezon dhe Kupa është një objektiv më se i arritshëm. Për këtë, mesfushori siguron seriozitetin me të cilin po përgatitet sfida e së hënës ndaj Skënderbeut në “Air Albania”.
Ju vjen keq që pas këtij supersezoni nuk arritët të shpalleni kampion?
Normalisht që të vjen keq, pasi për mua personalisht mund të them se ka qenë kampionati më i bukur që kam zhvilluar. Ka qenë kampionati më i luftuar nga të gjithë skuadrat pretendente.
Ku mendoni se gabuat që nuk ia dolët për këtë?
Çdo skuadër bën gabime rrugës. Ne në fazën e tretë morëm disa rezultate që nuk duhet të ishin të tilla. Gjithsesi, gjetëm forca, u rikthyem në lojë e në rezultate. Por, një pikë mund të kishte bërë diferencën dhe mund të kishim dalë kampionë. Ne i kishim mundësitë për një gjë të tillë…
Mendoni se Vllaznia mori më shumë sa kishit parashikuar edhe ju vetë?
Po, është e vërtetë që askush nuk e kishte menduar Vllazninë në këto nivele. Objektivi ishte arritja e Kupave të Europës, por gjatë rrugës objektivi ndryshoi dhe pse të mos tentonim titullin kampion sepse loja që zhvilluam ishte shumë, shumë e mirë. Me lojën e zhvilluar, ne merituam edhe titullin kampion.
Vendi i dytë, kur edhe titullin e humbët me golavarazh, mund të quhet sukses?
Këtë vit mund të quhet sukses, kurse vitin tjetër do të pretendojmë më shumë dhe të sjellim në Shkodër titullin kampion.
Të hënën finalja e Kupës. Si mund t’ia dalë Vllaznia?
E vlerësojmë shumë Skënderbeun pasi ka ekip shumë të mirë me djem të rinj që dinë të luajnë mirë futboll. Ne jemi përgatitur dhe do të bëjmë maksimumin që ta sjellim në Shkodër këtë trofe. Shpresoj që do të arrijmë të festojmë bashkë me tifozët.
E shikoni veten favoritë në këtë përballje?
Siç e thashë më parë, ne e vlerësojmë maksimalisht ekipin e Skënderbeut, por do të fitojmë ne në këtë përballje.
Vendi i dytë dhe një fitim i mundshëm i Kupës a i plotëson objektivat e klubit?
Mund të them se është një vit shumë i suksesshëm për ekipin tonë dhe një hap i sigurt për të ardhmen në rast se do t’ia dalim edhe në Kupë.