Teuta e ka filluar këtë sezon me shumë ambicie, ndryshe nga vitet e kaluara ku luftonte për mbijetesë. Skuadra durrsake kërkon që të qëndrojë sa më pranë majave të klasifikimit dhe të synojë Europën.
Durrsakët nuk e kanë nisur si shpresonin, pasi në ndeshjet e para kanë marrë dy barazime. Por sipas mesfushorit shkodran Arsid Kruja, edhe pse pa fitore, nisja është pozitive, pasi ekipi ka luajtur mirë.
“Nuk mund të them se është një nisje e keqe se edhe barazimi nuk është keq. E rëndësishme ishte të mos humbnim. Por ndjej keqardhje se në dy ndeshjet kemi krijuar raste dhe duhej t’i kishim fituar por shpërdoruam para portës”, tha ai për TVSH.
Sipas Krujës, ekipi duhet të jetë më i qetë dhe të shrytëzojë rastet që krijon. “Thjesht këtë sezon duhet të jemi më të qetë para portës dhe të shënojmë, të mësojmë duke shënuar.
Ndeshjet nuk ishin negative, kemi krijuar raste, loja ishte ritmike. Shpresoj që të vijë shpejt goli e të shënojnë sulmuesit. Latif po shënoi këtë javë nuk do të ndalet më”, tha lojtari.
Këtë javë vjen një përballje e ndezur me Kamzën, për të cilën Kruja nuk ngurron të theksojë se nuk ka alternativa tjetër veçse të luhet për fitore, për të arritur Europën.
“Objektivi është fitorja por një ekip si Kamza nuk duhet nënvlerësuar kurrë, jo vetëm ata, në Superiore nuk ka ekip të lehtë. Ne duhet të vazhdojmë të luajmë si dy ndeshjet e para dhe besoj se do të jetë lehtësisht i arritshëm objektivi i vendosur”, deklaroi Kruja.