“Te nusja hanë e pinë, te dhëndri gjë nuk dinë”. Kjo shprehje duket se i përshtatet kandidaturës së shumëpërfolur të Artan Bushatit për trajner të ardhshëm të Vllaznisë. Vetë drejtuesit e klubit kuqeblu janë shprehur se një nga kandidaturat e mundshme për të marrë drejtimin e skuadrës është edhe ajo e shkodranit Bushati, që vetëm pak muaj më parë la detyrën e trajnerit të Kombëtares U-21. I kontaktuar dje, vetë Bushati sqaroi se ende nuk ka bërë një bisedë zyrtare me krerët e klubit shkodran. “Nuk kam asnjë kontakt zyrtar për sa i përket mundësisë së drejtimit të ekipit të Vllaznisë. Këto ditë janë të ngjeshura për mua në punën time si pedagog dhe nuk më kanë lënë shumë kohë për të lexuar as gazetat.
Kam marrë vesh që emri im po lakohet shumë por, të them të drejtën, nuk jam takuar ende me asnjë nga drejtuesit e klubit. Natyrisht që do ta mirëprisja një ofertë. Megjithëse kam edhe kërkesat e mia, nëse do të më ofrohet pankina e Vllaznisë për sezonin e ardhshëm”, – është shprehur tekniku Bushati. Por, në krahun tjetër, mësohet se edhe në këshillin e trajnerëve emri i Bushatit është shqyrtuar dhe u është parashtruar drejtuesve më të lartë të klubit. Ai përflitet si kandidatura kryesore për të marrë drejtimin e skuadrës shkodrane. Megjithatë, kjo mund të mësohet zyrtarisht vetëm ditët në vijim, nëse ish-tekniku i ekipit përfaqësues Shpresa do të emërohet në pankinën kuqeblu. Gjasat janë të mëdha që diçka e tillë të ndodhë dhe pa u mbyllur kjo javë me siguri do të ketë një vendim nga ana e klubit. Ndërkohë, vlen për t’u përmendur se si alternativë bindëse ka dalë edhe emri i Armando Cungut. Megjithatë, pasur parasysh eksperiencën e Bushatit, mendohet se ky i fundit ka më shumë mundësi për të marrë stolin shkodran. Bushati ka drejtuar për pak kohë Vllazninë në fundin e viteve ’90.
Admir Uruçi