Artan Bushati nuk ka ndër mend të presë më për punën e trajnerit të Vllaznisë. Ai ka qenë I pari që pat shprehur publikisht dëshirën e tij për të kontribuar për Shkodrën dhe futbollin shkodran dhe që atëherë ka pritur ndonjë kontakt me drejtuesit por kjo nuk ka ndodhur. Përkundrazi, në media kanë dalë edhe emra të tjerë dhe në pamje të parë dukej si një garë në mes disa kandidatëve kur në fakt nuk ka patur një të tillë. Nëse me ndonjëri nga katër kandidatët e deklaruar ka patur edhe kontakte nga drejtuesit e klubit, me Bushatin jo. Këtë e ka konfirmuar edhe vetë mbrëmë. Gazeta “Shkodra Sport” e ka kontaktuar ish- trajnerin e Shpresave pikërisht për ta pyetur në lidhje me këtë çështje. I pyetur se ku kanë ngecur bisedimet, ai është përgjigjur:
“Të them të drejtën, nuk ka patur asnjë bisedë me drejtuesit e Vllaznisë. Kam qenë unë ai që para disa kohës, I pyetur nëse isha I gatshëm të merrja përsipër drejtimin e kësaj skuadre, u pata përgjigjur pozitivisht. E kam thënë këtë në media me përgjegjësinë e një shkodrani dhe për të bërë gjëra të mira për këtë skuadër. këtu ka mbetur diskutimi im sepse nuk kam patur asgjë tjetër”. Në fjalët që thotë, Bushati duket se ka një keqardhje për mënyrën si kanë shkuar gjërat kohët e fundit. Sondazhe, testime, diskutime nga larg, a thua se po zhvillohet ndonjë gjë e madhe. Pikërisht nga e gjithë kjo vorbullë, ai ka ndjerë një shqetësim të brendshëm dhe këtë e ka shprehur edhe për gazetën duke thënë: “Sinqerisht që nuk jam ndjerë mirë. Kam dëgjuar e lexuar në media apo dhe në faqe të ndryshme internet se ne gjoja jemi në testim. Unë nuk e di se për çfarë testimi bëhet fjalë. Kam një CV timen, kam një dëshirë për të kontribuar për Vllazninë, skuadrën e qytetit tim dhe besoj se këtu mbaron puna. Nëse drejtuesit e klubit do kishin interes për mua, nuk e kanë të vështirë të më gjejnë çdo ditë sepse në Shkodër jam. Pa dashur të fyej kolegët e mi, ata që përmenden si kandidatë, mendoj se nuk duhet shkuar puna deri këtu. Nuk është pazar kjo çështje, secili ka personalitetin e tij dhe në këto kushte, mendoj se drejtuesit e Vllaznisë duhej t’I kishin bërë më ndryshe punët. është krijuar një tërkuzë e vërtetë në këtë mes, e panevojshme krejtësisht. Pikërisht për këto arsye, nga sot nuk do kisha dëshirë të më përmendej emri im sa për formalizëm, si për të thënë se është edhe ky kandidat ”. Por në rrethana të tilla, cili do jetë qëndrimi I mëtejshëm I Artan Bushatit, është pyetja e rradhës? Përgjigja vjen menjëherë prej tij kur thotë: “Nga ky moment, unë tërhiqem nga kjo garë. Garë I thënshin sepse nuk ka qenë asnjëherë e tillë. Nëse në fillim kam shprehur dëshirën për të bërë diçka të mirë për Vllazninë, tashmë tërhiqem. Nuk dua të jem më nga ata kandidatët që deklaron klubi. Kam jetën time, obligimet e mia dhe nëse doja të merrja Vllazninë, doja ta bëja për të mirën e futbollit shkodran. Nuk jam I papunë dhe si I tillë, në kushtet komode ku jap, do të preferoj ta shohë sërish garën e mëtejshme për trajner të Vllaznisë, por pa qenë vetë më pjesë e saj”.
Gjergj KOLA