Ekipi i Vllaznisë në hendboll po bën paraqitje të mira në kampionatin e sivjetëm dhe konsiderohet një nga pretendentët për fitimin e titullit kampion.

Fitorja e fundit me Cërrikun ka rritur entuziasmin në rradhët e sportistëve dhe stafit teknik.

Trajneri Artan Durra në një prononcim për “Shkodra Sport” do të shprehej: “Kemi edhe dy ndeshje për të zhvilluar.

Këtë javë luajmë në Tiranë dhe në rast fitoreje, atëherë fati i titullit kampion do të vendoset në ndeshjen e fundit të kampionatit, atë me ekipin e Elbasanit që do të zhvillohet në Shkodër.

Padyshim që jemi të motivuar për t’i shkuar deri në fund objektivit që i kemi vënë vetes.

Dua të falenderoj dis miq, ish- hendbollistë si Nikolin Karroca e Mark Kushi që na kanë qëndruar afër dhe mbështetur financiarisht, e po ashtu sportistët dhe dy ndihmësit e mi, Arian Ibërshimi e Shyqyri Haxhia të cilët duken shumë të motivuar për të realizuar objektivin që i kemi vënë vetes.

Të them të drejtën nuk e kam mendjen fare tek ndeshja e fundit me Elbasanin por vetëm tek kjo e rradhës në Tiranë.

Kemi sërish lojtarë të pezulluar nga Federata e kjo e vështirëson disi punën tonë por paraqitja shumë e mirë që bënë djemtë e rinj në ndeshjen ndaj Cërrikut, më ka entuziasmuar dhe besoj se do ia dalim edhe këtë herë”.
© shkodrasport.com