Vendimi i Etnik Brrutit për të lënë Kosovën dhe për të përfaqësuar Shqipërinë ka rindezur dhe njëherë debatet e vjetra, ku nuk kanë munguar as etiketimet “tradhtar” apo dhe fjalë të tjera më të rënda për 21-vjeçarin.

Në lidhje me këtë çështje ka reaguar edhe Artan Hoxha, në një intervistë për emisionin “Favorit” në T7 në Kosovë. Gazetari thotë se nuk mund të ketë raporte “vëllazërore” mes dy vendeve, nëse Shqipëria i merr lojtarë Kosovës, aq më tepër në këtë rast që kombëtarja kuqezi nuk do të humbte gjë edhe nëse nuk e ftonte Brrutin.

“Shqipëria nuk po i fton lojtarët nga Shqipëria, por po e merr lojtarin nga Kosova. Në këtë rast po e dëmton “vëllain”, kjo nuk është vëllazërore. Ti po e merr futbollistin që e ka zhvilluar Kosova, ka investuar shumë për të. Çka po e pengon Kosovën të ftojë lojtarë nga Shqipëria, ka mundur edhe ta ftojë Gripshin.

Dy federatat kanë një moskomunikim mes tyre. Kjo gjë duhej zgjidhur pres disa vitesh. Shqipëria nuk do të pësonte humbje të madhe edhe po mos ta ftonte Brrutin”, tha Hoxha.