Tek ekipi i peshëngritjes së Vllaznisë punohet mirë. Të tre trajnerët e këtij ekipi, Muhamet Tuzi, Genc Barkiçi dhe Artur Lagja stërvisin tre grupe të ndryshme sportistësh dhe në secilin prej tyre sigurisht që sheh shumë sportistë të talentuar e që premtojnë shumë për të ardhmen. Tek grupi që stërvit trajneri Artur Lagja, konstaton se ka sportistë disi edhe më të rritur në moshë dhe që pritet të dhurojnë tituj kampionë dhe rekorde për Vllazninë. Pikërisht ky është edhe synimi i trajnerit të tyre. Puna që bëhet është sistematike dhe shkencore duke patur brenda edhe metodikën e fundit të peshëngritjes botërore.

Trajneri Lagja është shumë i kënaqur me përkushtimin e sportistëve të tij në stërvitje dhe prandaj për www.shkodrasport.com, do të shprehej: “Jam shumë i kënaqur me mënyrën si shkon stërvitja dhe puna me këta sportistë. Kam në dispozicion një grup sportistësh shumë të talentuar, që punojnë me shumë përkushtim dhe që e duan sportin e peshëngritjes. Pikërisht këtë dëshirë të tyre për sportin, po mundohemi ta shfrytëzojmë për të marrë më të mirën prej tyre. Me sportistë të tillë si Isa Bala, Senad Perfati e Valmir Kotrri, pretendojnë titullin kampion me të rriturit vitin e ardhshëm sepse gëzojnë formë shumë të mirë sportive. Po ashtu edhe Abdulla Bidri pretendon të shpallet kampion me të rinjtë për vetë moshën e tij. Sukseset individuale të këtyre sportistëve natyrisht që shoqërohen edhe me titullin kampion në renditjen ekipore dhe prandaj suksesi është i dyfishtë. Edhë në kampionatin e ardhshëm që do zhvillohet në muajin mars, kam shumë besim se shtangistët e Vllaznisë do jenë triumfues”. Kur e thotë këtë gjë një kampion si Artur Lagja, duhet t’i besojmë. Karriera e tij sportive ka qenë shumë e suksesshme. 11 vjet kampion kombëtar në peshat e tij dhe mbajtësi i 37 rekordeve gjatë karrierës së tij. Njëkohësisht edhe 12 vjet anëtar i ekipit tonë kombëtar. Me një CV të tillë sigurisht që ai e ka më të lehtë t’i injektojë sportistëve të tij mënyrën si mund të jenë të suksesshëm dhe të gjithë tashmë shpresojnë që pas Isa Balës që është kampion dhe i mirënjohur në këtë sport, edhe të tjerët si Perfati, Kotrri e Bidri, të ndjekin rrugën e tij.

 

Gjergj KOLA