Përveç Muhamet Tuzit, një tjetër trajner i ekipit të peshëngritjes së Vllaznisë që është po aq entuziast për suksesin në kampionatin e rradhës të këtij sporti, është edhe Artur Lagja. Ish-kampioni i disa viteve me rradhë në këtë sport, tashmë në rolin e trajnerit, i është përveshur mirë punës prej kohësh me sportistët që ai stërvit. Për rrjedhojë, ka shumë besim se të tre sportistët e tij, Isa Bala, Senad Perfati dhe Valmir Kotrri do paraqiten mirë. Përveç Balës që e mendon si të sigurtë kampion në peshën super të rëndë, trajneri Lagja ka shumë besim edhe tek Kotrri që do konkurrojë në peshën 62 kg. Megjithatë ai fjalë të mira flet edhe për sportistët që drejtohen nga dy trajnerët e tjerë, Genc Barkiçi dhe Muhamet Tuzi. “Mendoj se forma e të gjithë sportistëve është shumë e mirë. Kemi kohë që përgatitemi për këtë kampionat dhe besoj se do ia dalim me sukses të sjellim për të tretin vit rradhazi titullin kampion në Shkodër. Kam shumë besim sepse forma e sportistëve është shumë e mirë dhe të tetë shtangistët që do përfaqësojnë Vllazninë në këtë kampionat, padiskutim që do jenë në treshen e më të mirëve në peshat respektive. Marëdhëniet mes trajnerëve dhe sportistëve janë shumë të mira. Të gjithë kanë një synim të vetëm, suksesin e Vllaznisë”-ka thënë ekskluzivisht për gazetën online www.shkodrasport.com trajneri Artur Lagja. Kampionati nis nesër në Elbasan dhe mund të mbarojë po nesër në darkë ose më së shumti të hënën sepse kjo varet nga numri i sportistëve që do marrin pjesë në kampionat. Vllaznia është e sigurtë që shkon me kontigjent të plotë madje përveç 8 sportistëve që do jenë në garë, do jenë edhe një apo dy të tjerë që do konkurrojnë jashtë gare thjesht sa për të kapur normat e kategorisë së parë.

www.shkodrasport.com