Në Shkodër ka një veçanti të madhe. Pikërisht atë që e bën këtë qytet të veçantë nga gjithë të tjerët.
Në çdo fushë të jetës, dalin shumë talentë. Normalisht që edhe në sport kjo nuk bën përjashtim sepse nga ky qytet kanë dalë edhe kampionë bote dhe kampionë Europe.
Kjo është një veçori e kësaj toke dhe në fakt, në çdo sport nga viti në vit spikasin emra të ndryshëm.
Tek futbolli, sporti më i dashur dhe më popullor, ka shumë elementë të cilët spikasin që në moshë të vogël.
Një ndër to, që nesër mund të bëhet një lojtar i mirë me të dhënat që ka është edhe Arval Maliqi.
I datëlindjes 2 korrik 2004, ai ka nisur të merret herët me futboll ndërkohë që tashmë gradualisht ka filluar të fitojë edhe pjekurinë e duhur dhe kjo shihet edhe në veprimet e tij në fushë.
Aktualisht është pjesë e ekipit Vllaznia U-14 që drejtohet nga trajneri Astrit Prençi dhe padyshim që spikat me paraqitjet e tij në fushë çdo ndeshje.
Vetë trajneri në një prononcim për “Shkodra Sport” në lidhje me këtë futbollist, do të evidentonte edhe disa nga veçoritë e lojës së tij kur thotë:
“Kemi të bëjmë me një futbollist i cili ka të dhënë të mira teknike por edhe taktikisht është shumë i zgjuar. Po ashtu është edhe nuhatës para portave kundërshtare madje ka shënuar edhe shumë gola.
Padyshim që këto janë aftësi të një mesfushori krahu i cili mund të bëjë përpara në karrierën e tij por natyrisht që nuk duhet të kënaqet me kaq.
Nëse ul ritmin e punës, të gjitha këto që thashë më sipër, shkojnë dëm.
Me aftësitë që Maliqi posedon, duhet të ketë një karrierë të mirë përpara por gjithsesi është herët të flasim për më shumë.Thjesht po evidetojmë disa nga vlerat që ai po shfaq aktualisht”.
Ai luan me këmbën e majtë sepse është mëngjerash dhe kjo e bën edhe më interesante lojën e tij në këtë krah të mesfushës.
Jo më kot, me paraqitjet e tij ka bindur edhe stafin e ekipit kombëtar të grupmoshës U-15 për ta grumbulluar në rradhët e tij.
Arvali ende nuk i ka mbushur 14 vjeç megjithatë trajneri Eqerem Memushi dhe stafi i tij e kanë evidentuar dhe e shohin si një element të rëndësishëm të kësaj kombëtareje.
Këto që thamë më sipër janë të gjitha sinjale pozitive për karrierën e këtij sportisti.
Njëri prej të shumtëve që spikat tek Akademia Vllaznia e cila gjithmonë ka qenë jo vetëm burim furnimi për ekipin e parë të Vllaznisë por edhe për ekipet kombëtare.
Dhe Arval Maliqi është njëri prej tyre që ka filluar të japë shenjat e para për këtë gjë.
www.shkodrasport.com