I rikthyer në Shkodër pas tri dekadash emigrim në SHBA, Arvid Hoxha u nderua nga klubi Vllaznia para ndeshjes kundër Laçit.
Ish-portieri i Vllaznisë, Arvid Hoxha, duke përshëndetur tifozët shkodranë para ndeshjes kundër Laçit
Në një ceremoni simbolike, ish-portierit iu dhurua një fanellë me numrin 1 për kontributin e tij te kuqeblutë në vitet ’80. Hoxha foli për “Panorama Sport”, duke theksuar se u emocionua për këtë nderim që i bëri klubi i zemrës. Ndër të tjera ai ndalet edhe tek ndeshja Vllaznia-Laçi, e ndërsa shkëput edhe një mendim për duelin e radhës me Partizanin.
Arvid, sa emocione ndjeve që u riktheve pas kaq shumë vitesh në stadiumin “Loro Boriçi”?
Realisht në fillim thoja që s’do kisha emocione, por kur shkela sërish në atë fushë dhe stadium, ku kam pasur fatin dhe kënaqësinë të luaj, më hynë të dridhurat. Gjej rastin të falënderoj klubin Vllaznia dhe presidentin Xhaferri, të cilët më nderuan mua. Ishte me të vërtetë diçka e veçantë dhe që të them të vërtetën u surprizova kur ma propozuan.
Një këshillë për futbollistët kuqeblu keni?
Gjithmonë të japin maksimumin dhe të mendojnë për tifozët. Pra, për tifozët e thjeshtë shkodranë, të cilët nuk mjaftojnë fjalët për t’i falënderuar. Kur i ke ata në krah gjithçka është edhe më e lehtë për futbollistët. Duhet t’i afrojnë me “zor” në stadium, me lojërat e tyre dhe patjetër duke dhënë maksimumin për fanellën e Vllaznisë.
Është kjo Vllazni për titull?
Po, dhe e them me bindje. Ekipi ka cilësi dhe po ashtu i ka mposhtur rivalët direktë. Duhet ndoshta të bëjë kujdes me ekipet e ashtuquajtura të “vogla”. Por, me rikthimin edhe të shumë titullarëve nga dëmtimi, besoj se skuadra do jetë edhe më e fortë në vitin 2025 dhe do të dijë ta përballojë kampionatin deri në fund.