Kamza ka pritur Partizanin në shtëpi, në ndeshjen e javës së 20-të të Superligës, me takimin që është mbyllur me rezultatin 0-1. Para nisjes së sfidës, me publikimin e formacioneve zyrtare, u vu re mungesa e Plakut, Avdylit, Fukuit dhe Martinenës, të cilët i kishin vënë ultimatum klubit se nuk do të zbrisnin në fushë, nëse nuk do të paguhen për rrogat e prapambetura.
Për këtë arsye trajneri Gjoka, aktivizoi shumë nga lojtarët e stolit, të cilët në njëfarë mënyre e shpërblyen besimin. Kjo pasi në pjesën e parë, Kamza arriti të mbante të paprekur rrjetën, duke bërë gjithashtu lojë të mirë.
Rastet në 45` e para ishin të pakta nga të dyja krahët, teksa Partizani u mundua në lojën në krahë, por me mungesë qartësie në finalizim. Edhe Kamza në krahun tjetër nuk shfaqi rrezik në portën e Alban Hoxhës, teksa vetëm Zisi ishte ai që u dallua me disa aksione në krahë.
Në përfundim të pjesës së parë, drejtuesit e skuadrës së Kamzës, vendosën të hapin dyert e stadiumit për tifozët, të cilët në pak minuta kanë mbushur të gjitha shkallët, duke treguar se një nga arsyet e boshatisjes së stadiumeve, janë çmimet e biletave.
Goli nuk vonon në pjesën e dytë, pasi në minutën e 55`, Jasir Asani, kalon Partizanin në avantazh. Një top i hedhur në zonën e Kamzës nga lojtarët e Partizanit, pas një goditje dënimi, përfundon në këmbët e Asanit, që nuk mendohet dy herë, por gjuan dhe kalon të tijët në avantazh, 0-1.
Minutat e mbetura të lojës nuk kanë prodhuar ndryshim rezultati. Partizani është mjaftuar me golin e Asanit për të marrë tre pikë të rëndësishme, që e çojnë në kuotën e 43 pikëve, duke kryesuar me pesë pikë më shumë se Kukësi, që mban vendin e dytë. Sakaq Kamza mbetet në vendin e fundit në renditje me 15 pikë./telesport/
Formacionet:
Kamza: Selaci, Shala, Bitri, Orelesi, Bonani, Mumajesi, Arabal, Peci, Zisi, Mehmeti dhe Krasniqi. Trajner: Ernest Gjoka
Partizani: Hoxha, Rexhepi, Belica, Ibrahimi, Idrizi, Asani, Atanda, Telushi, Mala, Bardhi dhe Hebaj. Trajner: Skënder Gega