Ditën e djeshme janë zhvilluar zgjedhjet për postet më të larta drejtuese të Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, pikërisht ato për president dhe për anëtarë kryesie. Të zhvilluara në Vlorë, këto zgjedhje kanë shkuar normalisht duke mos patur asnjë problem dhe në këtë drejtim kjo është për t’u përgëzuar sepse në fakt, fushata parazgjedhore, sidomos ajo për president, ka qenë pak “e nxehtë”. Megjithatë dje nuk ka patur asnjë problem. Presidenti i mëparshëm- Elez Gjoza, ka fituar shumicën e votave- 15, përballë 5 votave që ka marrë kundërshtari tjetër Theodori Masllavica.

Në këtë mënyrë, edhe për katër vitet e ardhshme, Gjoza do të mbajë postin e presidentit të kësaj Federate. Më pas janë zhvilluar edhe votimet për anëtarë kryesie dhe pas përfundimit të tyre, ka rezultuar se në mes 8 kandidatëve fitues është edhe shkodrani i mirënjohur Asim Belinova. Ai ka vite që mban këtë post dhe do të jetë edhe tani e tutje bashkë me të zgjedhurit e rinj, Sami Pulaku, Adnan Halili, Ilirjan Topuzi, Endri Karina, Nesim Hodaj, Artjon Çaushllari dhe Kreshnik Leka.
© shkodrasport.com