Nëse trajneri i përfaqësueses shqiptare, Edi Reja, kërkon një mbrojtës të djathtë më ofensiv se Elseid Hysaj, i mjafton të hedhë sytë në Spanjë, ku Ivan Balliu po kalon një sezon shumë të mirë me fanellën e Almerias. Mbrojtësi i djathtë është titullar thuajse në çdo ndeshje dhe sot, përballë Deportivo La Korunjës, ka shënuar edhe golin e tij të parë në La Liga 2.
Balliu ishte protagonist në fillimin e vrullshëm te Almerias që tundi shpejt rrjetën me anë të Nunjez që në minutën e 12. Ishte pikërisht një krosim i mbrojtësit shqiptar ai që gjeti sulmuesin i cili e falënderoi duke dërguar sferën në rrjetë.
Në minutën e 29 ishte vetë Balliu i cili tundi rrjetën me një aksion spektakolar. Pasi kaloi dy mbrojtës kundërshtarë, ai mposhti portierin me një gjuajtje me të majtën duke dyfishuar shifrat në një ndeshje të cilën më pas skuadra e tij e mbylli me fitoren 4-0.
Një gol që u festua gjatë edhe nga Guti në pankinë, ashti si edhe shokët e skuadrës së Balliut të cilët e vlerësuan për këtë paraqitje të shkëlqyer.
Kjo fitore çon Almerian përsëri në vendin e tretë në renditje, në zonën e play-off për ngjitjen në La Liga, që është objektivi i klubit i cili ka kaluar pak kohë më parë nën pronësi të sheikëve nga Arabia Saudite që nuk kanë kursyer investimet e tyre. /vipsport/