Elseid Hysaj po kalon sezonin më të vështirë në kampionatin italian, duke qenë se këtë sezon, e ka pasur të vështirë të mbajë vendin e titullarit dhe në shumë ndeshje me rëndësi të veçantë, ai është preferuar që të lihet në stol nga trajneri Ançeloti.

Megjithatë, ndeshja e fundit ndaj Parmës ka rezultuar me fat për mbrojtësin shkodran. Hysaj arriti të jepte një asist fantastik, asist i cili duket se është vlerësuar maksimalisht edhe nga vetë trajneri Karlo Ançeloti.

Këtë fundjavë, Napoli luan ndaj kampionëve të Juventusit dhe me shumë gjasa, Hysaj do ta nisë nga minuta e parë. Detyra e tij në këtë takim, është mjaft e vështirë pasi përballë do të ketë Kristiano Ronaldon.

Në balotazh për një vend titullari në formacion, gjithashtu është edhe Gulam por tekniku Ançeloti ka provuar vazhdimisht Hysajn dhe ky i fundit është favorit për ta nisur takimin nga minuta e parë. /VipSport/