Mbi 200 ndeshje në nivel klubesh dhe disa trofe të fituar në karrierë, plus 14 ndeshje me Kombëtaren e Shqipërisë dhe dy herë pjesëmarrës në Europian me kuqezinjtë. Naser Aliji është një nga goditjet e mëdha të Dinamos në merkaton e verës dhe pritet të jetë një vlerë e shtuar jo vetëm me blutë e kryeqytetit, por edhe për kampionatin shqiptar.
Mëngjarashi 30-vjeçar do të luajë për herë të parë në Superiore, pas aventurave në Zvicër, Gjermani, Itali, Hungari dhe Rumani së fundi. Sjell në skuadër kualitet dhe mentalitet fituesi, mbetet të shihet vetëm ambientimi i tij me “Nëndetësen”. Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, Aliji tregon pse vendosi të bashkohet me Dinamon, ndërsa nivelin e futbollit shqiptar pret ta zbulojë në terren.
Naser, pse vendosët të firmosni për Dinamon, duke luajtur për herë të parë në kampionatin shqiptar?
Kishim kohë që ishim në bisedime me Dinamon. Ishte së pari këmbëngulja e presidentit Bardhi dhe e drejtuesve të tjerë të klubit që më bindi. E vlerësova si një opsion të mirë. Kam biseduar me disa shokë në Kombëtare para se të vendosja, kam folur me disa persona dhe askush nuk më tha “mos shko”. Përkundrazi, më kanë folur mirë dhe jam i lumtur që jam bërë pjesë e kësaj skuadre. Një tjetër arsye që kam ardhur në Shqipëri dhe te Dinamo është se këtu jam edhe më afër familjes sime.
Çfarë dije për Dinamon, para se të firmosje për këtë skuadër?
Dija që është një nga emrat më të njohur të futbollit shqiptar, që është mes atyre që kanë fituar më shumë trofe.
Sa e njeh futbollin shqiptar, ku do të luash për herë të parë në karrierë?
Të them të drejtën, nuk e njoh, kështu që për këtë temë do të flas pasi të luaj disa ndeshje. Me atë çfarë dëgjuar, di që ka disa lojtarë të mirë.
Me çfarë synimesh dhe çfarë ambiciesh personale keni ardhur te Dinamo?
Kam ardhur me dëshirën për të bërë sa më mirë me këtë skuadër. Dua ta ndihmoj Dinamon që të jetë sa më lart në futbollin shqiptar dhe së bashku të fitojmë trofe. Nuk kam ardhur këtu as për të qenë në mesin e tabelës dhe as për fundin e saj. Sigurisht, ambicia ime është që duke luajtur sa më mirë këtu, të jem pjesë e Kombëtares. Shpresoj që gjithçka të shkojë mirë.
Seanca juaj e parë stërvitore te Dinamon përkoi edhe me ardhjen e trajnerit të ri, Ilir Daja…
Po, ishte seanca e parë për mua dhe për trajnerin Daja. Ai është trajner pak më i veçantë se të tjerët dhe kur flet ai të gjithë lojtarët duhet të dëgjojnë mirë.
Si ju është dukur skuadra e re dhe ambienti që keni gjetur?
Përshtypjet e para janë shumë të mira. Kam gjetur një ambient pozitiv dhe një skuadër të mirë. Besoj se do të bëjmë diçka të bukur këtë sezon.
Kombëtarja ndërkohë ishte e grumbulluar në Tiranë për dy ndeshjet e Ligës së Kombeve. Keni pasur kontakte me shokët e ekipit?
Po, kam pasur, kam qenë në hotelin e Kombëtares dhe kam takuar disa nga shokët e ekipit. Kemi biseduar për ndeshjet që janë përpara.
Çfarë mendimi keni për listën e fundit të trajnerit Silvinjo?
Ai është trajneri dhe bën ato zgjedhje që mendon se janë më të mirat për ekipin.
Kur ju shkuat në Europianin gjerman pati edhe ndonjë që u habit për këtë fakt…
Unë nuk u habita, sepse trajneri më njeh mirë. Ai e di mirë çfarë lojtari jam dhe ndihem i vlerësuar. Jam gati në çdo moment për Kombëtaren dhe siç e thashë, një nga arsyet që kam ardhur te Dinamo është që të jem sërish me fanellën kuqezi. Dua të jap gjithçka në fushë dhe për këtë jam i përqendruar maksimalisht.