www.shkodrasport.com
Asmer Bilali, boksieri më i mirë i Memorialit “Vllaznia 2012”
Memoriali ndërkombëtar i boksit “Vllaznia 2012” është mbyllur në mënyrën më të mirë të mundshme për boksierët tanë. Dy vende të parë, një kupë për boksierin më të mirë dhe mbi të gjitha, nivel i lartë boksimi dhe organizim perfekt i aktivitetit. Këto ishin risitë e tij. I pari në ring nga boksierët tanë sonte është ngjitur shkodrani Asmer Bilali. Ndeshja e tij ndaj bullgarit Borisov ka dhuruar shumë emocione tek shikuesit e shumtë që kishin mbushur plot e përplot pallatin e sportit. Ata kanë qëndruar gjatë gjithë kohës në këmbë sepse në të tre raundet ka dominuar Bilali me grushtet e tij duke bërë që fitorja të mos vihej asnjëherë në dyshim. Këtë e tregon edhe diferenca e madhe e pikëve në fund të takimit e dalë nga kompjuteri I gjyqtarisë. Fitorja e Bilalit I ka çuar në delir të gjithë shkodranët dhe përfaqësuesit e ekipit tonë. Ndërkohë boksieri tjetër i kombëtares sonë Alban Bermeta ka fituar medaljen e vendit të parë ngaqë kundërshtari i tij, Ataev i Uzbekistanit ishte dëmtuar në ndeshjen gjysmëfinale dhe nuk ka rrezikuar fare për finalen. Në këtë mënyrë, me fitoren e Bilalit dhe Bermetës u bënë dy medalje të arta për boksierët tanë. Pritej në fakt edhe e treta prej Kristian Demës por ai ka humbur vetëm me një pikë ndaj kazakistanasit Abdullayev. Ka qenë një ndeshje vërtetë emocionuese e cila i ka patur të gjitha brenda, njëherë kalonte në avantazh Demaj, një herë kundërshtari i tij dhe shumë herë në barazim megjithatë në fund pra ka fituar kazakistanasi. Boksierët tjerë fitues të këtij Memoriali kanë qenë tre italianët Parrinelo, Mangiacapre dhe Cammarelle, tuniziani Montassar, ekuadoriani Porozo dhe bullgari Pulev. Kësisoj me ndeshjet e ditës së sotme është mbyllur Memoriali i nëntë ndërkombëtar i boksit “Vllaznia 2012”. Në fund është zhvilluar ceremonia për dhënien e kupës së boksierit më të mirë dhe të ekipit më të mirë. Boksieri më i mirë është vlerësuar shkodrani Asmer Bilali ndërsa ekipi më i mirë ai italian.