Qeveria shpalli pak ditë më parë buxhetin e vitit 2023 për sportin. Ministria e Arsimit dhe Sportit ka përcaktuar se 1 miliardë e 494 milionë lekë të vjetër do shpërndahen te 17 federatat e shumësportëshit në Shqipëri.
Kjo shumë është shpërndarë sipas formulës së pikëzimit që vitet e fundit është aplikuar nga ministria. Një formulë e cila ka sjellë jo pak debate teksa kampionia e Europës, Luiza Gega ka reaguar për uljen e bushetit të Federatës së Atletikës.
Mirëpo, përsa i përket Federatës së Futbollit, ministria nuk ka akorduar asnjë shumë parash duke lënë Federatën e sportit më të ndjekur në vend pa asnjë kacidhe.
Nga Qeveria sigurisht qe justifikohen me faktin se Federata e Futbollit ka fonde te mjaftueshme dhe si rrjedhoje nuk ka nevoje edhe per fondet e saj, megjithate ky nuk eshte justifikim.
570 ndeshje në javë që nga futbolli i moshave, ai i femrave dhe deri në Superiore. Aprovimi nga UEFA për plot 10 turne ndërkombëtare në Shqipëri e cila lë gjurmën se Tirana është kryeqyteti europian i sportit. Suksesi historik i finales së Conference League në stadiumin Air Albania mirëpo Ministria e Arsimit dhe Sportit jep 0 buxhet për Federatën e Futbollit.
I ftuar në emisionin “Skaner” nga moderator Geti Çarçani në MCN, zv.ministri i Arsimit dhe Sportit, Endrit Hoxha, shpjegoi arsyet e tij pse Qeveria vendosi për përjashtimin e futbollit nga grandi i 2023-shit.
“Mënyra e grandit të federatave olimpike dhe jo-olimpike bëhet përmes një kërkese, pra deri më sot Federata Shqiptare e Futbollit nuk ka aplikuar dhe nuk ka sjellë asnjë lloj dokumentacioni për të marrë mbështetje nga buxheti që jepet nga Ministria. Ka një udhëzim të përbashkët që ka disa kritere sepse nuk është se ne jemi Ministria e Sportit dhe i ndajmë paratë si mendon njëri apo tjetri por ka një drejtori dhe ka një pikëzim që do të thotë se vlerësohet medalja e sportistit, kampion bote apo Europe.
Pra, ka një pikëzim për medaljen, masivizimin e sportit, sa është numri i anëtarëve, numri i shoqatave që janë në këtë federatë, numri i aktiviteteve që zhvillon federate. Federata e Futbollit ka dalë kampione Europe? Dua të theksoj një gjë shumë të rëndësishme se shteti shqiptar dhe Ministria e mbështet Federatën e Futbollit përmes faljeve të zhdoganimit të pajisjeve që vijnë të dhuruara nga UEFA, gjithashtu për TVSH-n e biletave, ka VKM që ndihmojnë Federatën e Futbollit, po ndërtohen edhe stadiume.”
–A duhet të ishte prezente në buxhet?, pyet Çarçani
“Nuk e sheh të arsyeshme pasi nuk ka ardhur asnjë kërkesë nga Federata e Futbollit që të marri mbështetje.”-përgjigjet zv. ministri
-Presidenti Duka ka thënë me zë e me figurë që ka ardhur momenti që edhe futbolli të përfshihet në buxhet pas takimit me ministren Kushi.-replikon Çarçani.
“Ka një udhëzim i cili në kriteret e tij, nga nëntori deri në dhjetor të gjitha Federatat olimpike sjellin pranë Ministrisë kërkesën bashkangjitur me dokumentacionin ku kanë të renditura me vulë e firmë të Sekretarit të Përgjithshëm të Federatës ku cilësohen aktivitetet që bën, medaljet që janë marrë. Si në basketboll e volejboll që marrin mbështetje sepse sjellin të gjithë dokumentacionin që nevojitet dhe shqyrtohet nga Ministria, pikëzohet dhe vendoset në renditje me të gjitha Federatat e tjera e del raporti përfundimtar. Federata e Futbollit nuk e ka bërë këtë.”- u shpreh zv. ministri Hoxha.