Ndonëse po i drejtohemi mesit të muajit korrik, në Shkodër nuk ka asnjë lëvizje sa i takon futbollit. Tek Vllaznia ka vetëm heshtje, pavarësisht përpjekjeve të bëra pak kohë më parë nga kryebashkiakja Ademi. Fillimisht u tha se shumë shpejt do të niste puna për sezonin e ri por deri më tani nuk ka asnjë lëvizje.
Ende nuk janë zyrtarizuar administratori i ri dhe po ashtu edhe trajneri që do t’i drejtojë kuqeblutë ndonëse emrat e tyre pothuajse kanë marrë aprovimin e drejtuesve të lartë të klubit. Ajo që të bën përshtypje është vonesa në emërimin e tyre dhe arsyeja nuk bëhet e ditur.
Ndërkohë, në adresë të futbollistëve të Vllaznisë vazhdojnë të vijnë oferta. Një e tillë ka ardhur nga klubi i Kastriotit për njërin nga mbrojtësat e kësaj skuadre dhe me shumë mundësi ai do t’i bashkohet krutanëve për sezonin e ri.
Në Shkodër janë të vonuar me përgatitjet për nisjen e sezonit të ri. Shumë prej skuadrave të kategorisë së parë jo vetëm që kanë bërë planet për mënyrën si do të ndërtohen por janë gati për të nisur edhe stërvitjen. Ndërsa tek kuqeblutë nuk dihet saktësisht se kur do të ndodhë kjo gjë.
Dy muaj pushim për futbollistët janë tepër megjithatë tashmë ky është një realitet i cili padiskutim do të ndikojë në formën e tyre sportive. Vllaznia e ka detyrim ngjitjen në Superligë në fund të këtij sezoni por nëse ajo vonon në nisjen e punës, një objektiv i tillë do të jetë gjithnjë e më i vështirë për t’u arritur.
Problemi aktual i skuadrës shkodrane duhet marrë sa më seriozisht nga drejtuesit e klubit dhe për këtë arsye, gjërat duhet të marrin zgjidhje sa më parë.
www.shkodrasport.com